
Pas ditëve të njëpasnjëshme humbjesh në Wall Street për shkak të breshërisë së tarifave, presidenti amerikan, Donald Trump u bëri thirrje qytetarëve dhe investitorëve të jenë të qetë, duke vlerësuar se tani është koha për të blerë.
“Rrini të qetë! Gjithçka do të jetë mirë. SHBA do të jetë më e madhe dhe më e mirë se kurrë”, shkroi Trump në një postim pak pasi tregjet u hapën sërish në “të kuqe. “Kjo është një kohë e shkëlqyer për të blerë!”, theksoi ai në një postim tjetër.
Më herët, Sekretari i Thesarit i SHBA-së Scott Bessent minimizoi shkallën e humbjeve të regjistruara nga Wall Street në javët e fundit, duke argumentuar se politika e qeverisë amerikane synon t’i japë përparësi “ekonomisë reale”.
“Wall Street është bërë më i pasur se sa ka qenë në dekada dhe mund të vazhdojë të rritet dhe të jetë mirë”, tha Bessent në një fjalim për Shoqatën Amerikane të Bankierëve (ABA).
“Por për katër vitet e ardhshme, qëllimi i presidentit Trump është të fokusohet në ekonominë reale. Është radha e ekonomisë reale”, theksoi ai, duke iu përgjigjur rënies së tregut financiar javën e kaluar për shkak të luftës tregtare që filloi Trump.
Bessent e vuri në perspektivë rënien e tregut financiar, duke pranuar “disa pasiguri” që shpjegon lëvizjet e tregut, por duke argumentuar se ekonomia amerikane është “shumë e qëndrueshme” dhe “në gjendje shumë të mirë”.
Për sa i përket sektorit bankar, ai siguroi se departamenti i tij synon të fokusohet në ndryshimin e rregullave rregullatore, ndërkohë që Uashingtoni ende nuk ka zbatuar të ashtuquajturat rregullat bankare “Basel III”, të cilat po shkaktojnë reagime nga institucionet e mëdha financiare amerikane.
Top Channel