“Në Kavajë shkoja për fushatë”/ Zbardhet dosja, hetimet e SPAK për vilën në Qerret të kryebashkiakut

09/04/2025 13:56

Prokurorët e SPAK pretendojnë se vila në Qerret është në pronësi të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ky i fundit thotë se prona është e vjehrrit të tij, babait të Ajola Xoxës.

Në dosjen voluminoze të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, renditen argumentet e Veliajt që thotë se udhëtimet e shpeshta të bëra në Kavajë dhe Rrogozhinë gjatë vitit 2021 kanë qenë për shkak të fushatës zgjedhore, por gjykata shprehet se një fakt i tillë nuk e përjashton në vetvete frekuentimin e vilës në Qerret.

“Lidhur me provat e sjella nga mbrojtësi i personit nën hetim Erion Veliaj për të justifikuar udhëtimet e bëra prej tij në Kavajë, duke argumentuar se në vitin 2021, ka qenë i caktuar në me detyrën e e drejtuesit politik të fushatës elektorale të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare që janë zhvilluar këtë vit dhe për këtë i është dashur të udhëtojë shpesh edhe në Bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë, gjykata shprehet se një fakt i tillë nuk e përjashton në vetvete frekuentimin e vilës në Kompleksion Marea, Qerret.

Logimet e bëra nga qelizat e telefonit të tij, nuk lidhen me objektin e hetimit në këtë kontekst, vetëm nëse do të kishte ndonjë indicie që ai i ndihmonte me qëllim të kryerjes së ndonjë aktiviteti të paligjshëm në këtë zonë, argumentojnë prokurorët e posaçëm, duke krijuar një dyshim të arsyeshëm, për faktin nëse ai e dinte që personi i hetuar ndodhej në këtë zonë në të njëjtën kohë dhe qëllimi i qëndrimit të tij ishte për t’u takuar me të. Për këtë arsye, i gjithë ky analizim nuk ndihmon në një element thelbësor, përveç në hollësimin se provat të paraqitura para hetuesisë për të japë një vlerësim të saktë për probabilitetin e prezencës së personit nën hetim në një zonë të caktuar gjeografike”, sipas dosjes.

Dyshime për zotërimin e të mirave materiale nga bashkëshorti Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, me cilësinë si personi që është nën hetim në këtë procedim penal, janë dhënë nga tërësia e të grumbulluara gjatë veprimeve paraprake, thuhet më tej në dosje.

Nga kontrolli në 6 dhjetor 2024 në këtë vilë, kanë rezultuar një sërë sendesh të cilat lidhen me Ajola Xoxën, Valbona Xoxën, apo familjarë të tyre.

“Konkretisht, në banesë është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale, ndër të tjera, edhe si vijon: i) Një letër format A4, si e lagur, në të cilën është një tabelë me mbishkrimin ‘Shërbim mirëmbajtje pishine’, klienti ‘Arjola’, me përshkrim ‘Mirëmbajtje Gusht, Shtator, Tetor 2024’, me vlerë të shënuar “450000”; ii) Një letër formati A4, e cila është një tabelë me kokën Shërbim mirëmbajtje pishine, me shënimet Muaji 2023-2024, Klienti ‘Arjola’, përshkrimi për shërbimet me vlerën totale “102500”, faturë e cila është e vulosur me vulë rrethore të subjektit me NUIS: K71630401Q, me emër Pwotace-AL” sh.p.k.; iii) Një bllok i vogël shënimesh në brendësi të të cilit ndodhet një shënim në dukje i shkruar nga shtetasja Valbona Xoxa. Konkretisht kjo e fundit shkruan më datë 03.07.2023: ‘Sot pagova Kujtimin x muaj Mars, Prill, Maj, Qershor, Korrik = 350 mijë. I dhashe 400 mijë (më tha Jolka), meqë i duheshin për diçka tjetër. Siç më tha Jolka, i thashë se ‘që nga gushti do ta rrisim rogen’; iii) Shënime dore të cilat kanë lidhje me arredim e vilës, si: me tapat-bamboo i kishin dhomë. Dhoma e vogël: Pikturë/dekor mbi krevat. Dhoma e madhe-bamboo, dollap, komodinë, komod. Dora e dorezai e shkallës. Veç sendeve me sipër, në banesë, pjesë të kësaj procesverbali janë evidentuar edhe një sërë sendesh, si veshje për të rritur, veshje për fëmijë. E pyetur si person që ka dijeni për veprime penale, për mënyrën se si e thërriste nëna e saj Valbona Xoxa në përditshmëri, shtetasja Ajola Xoxa është përgjigjur: ‘JOLKA’”, theksohet në dosje.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta