Koalicioni i ardhshëm qeveritar i tri partive politike në Gjermani, çfarë përmban marrëveshja

09/04/2025 18:55

Në një moment me sfida të mëdha për Europën dhe ekonominë botërore, drejtuesit e tri partive të koalicionit të ardhshëm qeveritar në Gjermani, Unioni Kristian-Demokrat, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë si edhe Unioni Kristian-Social prezantuan të mërkurën, më 9 prill 2025, në Berlin marrëveshjen e tyre për bashkëqeverisje.

Kryetari i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm i mundshëm, Friedrich Merz, e cilësoi dokumentin si një sinjal të qartë për Europën dhe një garanci se “Europa mund të mbështetet te Gjermania”.

Reformë e thellë ekonomike dhe sociale

Për të ndezur motorin e ekonomisë gjermane që tashmë ka hyrë në vitin e tretë të recesionit, parlamenti gjerman kishte miratuar më parë një paketë masash qindra milionëshe. Por tarifat e presidentit amerikan e detyrojnë koalicionin e mundshëm të ardhshëm që të marrë masa shtesë për lehtësimin e industrisë: Për shembull duke ulur taksat për sipërmarrjet, reduktimin e tatimeve mbi energjinë dhe përjashtimin nga tatimi të orëve shtesë të punës. Po ashtu, qeveria e ardhshme synon të lehtësojë të ashtuquajturin “pension aktiv”, që i lejon edhe pensionistët për të punuar pa tatime.

Një tjetër objektiv madhor është reduktimi drastik i burokracisë, me qëllim që Gjermania të bëhet më atraktive si për investitorët, ashtu edhe për profesionistët që kërkojnë një vend për të jetuar. Për këtë arsye, koalicioni synon të krijojë një Ministri të Digjitalizimit, e cila do të përqendrohet pikërisht në këtë çështje. “Pajisjet e vjetra, si faksi, duhet të dalin jashtë përdorimit,” tha në mënyrë simbolike bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, dhe shtoi: “Tregjet ndërkombëtare duhet të marrin sinjal të qartë se këtu mund të investohet.

Ashpërsohet politika e migracionit

Në marrëveshjen e koalicionit vihet re edhe një kthesë e dukshme në politikën e migracionit. Kryetari konservator Merz njoftoi masa të reja si kontrollet dhe kthimet në kufi, përfundimin e programeve të pranimit vullnetar, si për shembull për refugjatë nga Afganistani, dhe pezullimin e bashkimit familjar për refugjatët e luftës. Ukrainasit që do të vijnë tani e tutje në Gjermani nuk do të përfitojnë automatikisht ndihma sociale. Qeveria e re dëshiron gjithashtu të ndryshojë ligjin e shtetësisë: “Nuk do të ketë më shtetësi të përshpejtuar pas vetëm tre vitesh qëndrimi në Gjermani,” theksoi Merz.

Përgjysmohet numri i migrantëve të punës nga Ballkani Perëndimor

Koalicioni synon gjithashtu të kufizojë rregulloren e Ballkanit Perëndimor, e cila deri më tani lejonte ardhjen e rreth 50 mijë punëtorëve të pakualifikuar në vit. Numri do të përgjysmohet në 25 mijë. Politika e migracionit ishte ndër temat kryesore të fushatës, për shkak të barrës financiare mbi komunat. Si tregues i ashpërsimit, Ministria e Brendshme do t’i kalojë partisë bavareze Unionit Kristian-Social (CSU).

Procesi i Berlinit mbetet i rëndësishëm

Sipas marrëveshjes, integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe i Ukrainës dhe Moldavisë, në Bashkimin Evropian (BE) konsiderohet interes strategjik i ndërsjellë. Prandaj, Procesi i Berlinit – një nismë e ish-kancelares Angela Merkel – do të mbetet aktive si platformë për t’u ofruar vendeve të rajonit perspektiva të qarta dhe të qëndrueshme për anëtarësim në BE.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta