
Në pushimin e shkurtër pas orës së parë, Rafaela doli të blinte diçka për të ngrënë, së bashku me shoqen e saj të ngushtë. Sapo doli jashtë oborrit të shkollës, pësoi një atak kardiak.
Pak minuta më vonë, ajo do të pësonte edhe një tjetër goditje që rezultoi fatale. Në xhepin e xhupit, familjarët i gjetën 160 lekëshin që i kishin dhënë atë mëngjes për të blerë diçka për të ngrënë.
E mitura, e cila nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje, u dërgua menjëherë në spitalin e Ersekës për ndihmën e parë. Mjekët e nisën menjëherë drejt spitalit të Korçës. Gjatë rrugës ajo pësoi një tjetër goditje. Edhe spitali i Korçës e dërgoi drejt QSUT-së, ku ndërroi jetë pasditen e datës 22 dhjetor. E ëma thotë se goditja ishte shumë e fortë. E mitura nuk ishte e vetëdijshme për asnjë moment gjatë atyre 72 orëve në gjendje kome.
Arjana Pinderi, e ëma e të miturës, e cila e ka shoqëruar në autoambulancë, ka pak fjalë për të rrëfyer ato momente tmerri.
“Nuk reagoi. Vetëm gjysmë syri hapi dhe një pikë loti”, u shpreh mamaja e 14-vjeçares.
Dhimbja që la pas ikja e Rafaelës është e madhe. Ajo ëndërronte të bëhej mësuese. E dashuruar me shkollën dhe librat, në udhëtimin e përtejëm, familja i futi në arkëmort librin e gjuhës që ajo e donte aq shumë, së bashku me çantën e shkollës. Rrobat e saj ende qëndrojnë të stivosura, ndërsa familja e ka të vështirë të mësohet të jetojë pa të.
“Këto ditë pa Rafaelën janë shumë ditë të trishtueshme”, u shpreh Arjana Pinderi, mamaja e 14-vjeçares.
“Mua nuk më besohet. E kam plagë në shpirt kur shoh fotografitë, them: ‘Si më iku?’ Ishte mirë, e bukur. Por na erdhi si e goditur, se nuk e kishim të sëmurë. I ra direkt, pa u ankuar asnjëherë. Sikur e goditi syri”, u shpreh gjyshja e Rafaela Pinderit.
Të mësuar që raste të tilla fatale prekin moshat e rritura, Rafaela është vetëm njëri nga katër rastet mes të miturve që ndërruan jetë nga ataku kardiak në qarkun e Korçës, brenda një harku të shkurtër kohor. Një fenomen tronditës që po prek përherë e më shumë moshat e vogla.
Top Channel