
Prezenca e OSBE, që do të monitorojë zgjedhjet e 11 majit në vendin tonë po zhvillon një vizitë në SPAK.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka filmuar momentin kur ata hyjnë brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme Anikorrupsion.
Sot Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi pajisje kompjuterike për të forcuar kapacitetet e Task-Forcës së re të SPAK-ut për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Pajisjet janë 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, të cilat do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë.
Grupet në terren do të mbulojnë të 12 qarqet e Shqipërisë dhe do të përbëhen nga prokurorët e SPAK-ut, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, agjentë financiarë dhe personel mbështetës.
“Sot nuk ka të bëjë vetëm me pajisjet – ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve që kontribuojnë në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Dua të përgëzoj SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore. Shpresojmë që rritja e bashkërendimit dhe veprimit nga institucionet përgjegjëse do të shkurajojnë shkelësit e mundshëm të ligjit dhe jemi të bindur se puna juaj do të kontribuojë në sigurimin e zgjedhjeve pa ndërhyrje të paligjshme”, tha Tarran.
“Zgjedhjet janë në themel të shtetit demokratik. Ne i shprehim mirënjohjen tonë OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme. Këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”, tha Dumani.
Dhurimi i pajisjeve është pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.
Top Channel