Bulmet me vaj palme, përdoret edhe në restorante/ Ja dëmet që mund të shkaktojë

09/04/2025 12:15

Në pesë vitet e fundit, në Shqipëri është importuar 13.667.239 litra vaj palme.

Sipas kësaj shifre, nëse i referohemi vitit 2024, shqiptarët kanë konsumuar 1.2 litra vaj palme në vit, ose e thënë ndryshe, një shishe me vaj palme secili, të cilën e marrin atë përmes produkteve të bulmetit që shiten në raftet e supermarketeve.

Me vaj palme nuk përgatitet vetëm djathi, gjalpi apo salca e kosit, por edhe në qumësht, edhe pse në këtë produkt çdo shtesë ushqimore është e ndaluar.

Ekspertja e ushqimit, Onedja Kycyk, thotë: “Në qumësht nuk duhet të kemi fare prezencë të vajit të palmës; qumështi duhet të vijë nga kafshët qumështore, pasi vetë qumështi ka yndyrën e plotësuar pa nevojën e shtesave dhe nuk duhet të ketë yndyrë tjetër.”

Fabrikantët e qumështit e përdorin vajin e palmës për të ulur kostot dhe për të shtuar sasinë. Ekspertët e ushqimit thonë se në Shqipëri fabrikat nuk e respektojnë ligjin e etiketimit. Me përdorimin e vajit të palmës, ata me vetëdije falsifikojnë produktet, sepse tek konsumatori shiten si prodhime të freskëta nga ferma në tryezë.

“Përdorimi i vajit të palmës tek kosi, salca e kosit dhe djathi e bën produktin më kremoze, sepse me kazeinën bëhet shumë më kremoze për shkak të yndyrës,” thotë ekspertja.

Çmimi i lirë i vajit të palmës bën që ky produkt të përdoret gjerësisht edhe në kuzhinat e bizneseve për skuqje. Temperaturat e larta e shndërrojnë atë në një produkt të rrezikshëm për shëndetin tonë.

“Vaji i palmës mund të përdoret në gatim në restorante dhe fast food-e. Por, si çdo yndyrë tjetër, nuk mund të ripërdoret disa herë kur flasim për skuqje të thella, sepse kemi ndryshimin e përbërjes kimike të yndyrës. Kjo ka efekte negative tek sëmundjet e zemrës, duke shkaktuar trombozë dhe ishemi,” shton ekspertja.

Fabrikantët e bulmetit, për të rritur fitimin e tyre, nga Serbia blejnë qumështin që kushton më lirë dhe ka më pak përqindje yndyre. Për të përftuar gjalpin, ata e shtojnë atë me vaj palme.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta