“Ishte drogaxhi dhe pijanec, u takuam në ditëlindjen e Festim Qolit”/ Dumani rrëfen bashkëpunimin me Hoxhajn: Kishim shumë ngjarje nëpër duar, mes tyre…

08/04/2025 12:46

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka treguar për raportin që kishte me Henrik Hoxhajn, që po ashtu është bërë i penduar i drejtësisë, i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Dumani ka rrëfyer se Hoxhajn e ka njohur në ditëlindjen e Festim Qolit, i dyshuar për vrasjen e ortakut të tij, Elvis Dedaj në Durrës dhe për porositjen e vrasjes së nënës së tij, Fatmira Dedaj, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

I pyetur nga avokati i Hoxhajt, Gentian Rumano, Dumani ndante me Hoxhajn detaje nga ngjarjet ku përfshiheshin. “Kur rrija me Henrikun nuk kishim dhe shumë kohë për të folur për ngjarje të shkuara, se kishim shume ngjarje nëpër duar”, është shprehur Dumani.

Avokati: Si e ke njohur Henrik Hoxhaj?

Dumani: Unë e kam njohur në ditëlindjen e Festim Qolit në Fushë Studen me daulle dhe muzikë, kështu i bënte ditëlindjet ai. Hëngrëm, pimë, kërcyem, ndërsa Henriku ishte në gjumë pjesën dërrmuese të kohës, sepse piu bar. Aty jam takuar për herë të parë fizikisht. Unë e  njihja si drogaxhi dhe pijanec.

Avokati: E keni parë më përpara këtij momenti?

Dumani: E kam parë një herë te lokali i Festim Qolit, ky ishte në kërkim për vrasje ndërkohë. Unë kam vajtur aty sepse me thanë që ka një sherr, por nuk e dija që ishte ai Henriku. Unë kam qenë në burg herën e parë dhe dola nga burgu, ishte në një nga komisaret e komisariatit 6, ka qenë Dritan Lame që më ka dhunuar. I kisha thënë ‘mbaje mend çdo të të bëj kur të dal’. Ai u vra para se me dal unë nga burgu. Për Henrikun kam dëgjuar nga Festim Qoli.

Avokati: Cili ka qenë shkaku që polici Dritan Lame ju ka rrahur?

SPAK kundërshton pyetjen, gjykata pranon qëndrimin e SPAK.

Avokati: Kur qëndronit me Henrikun, i keni thënë për ngjarjet ku keni marrë pjesë?

Dumani: Po, i kemi treguar njeri-tjetrit

Avokati: Konkretisht për cilat ngjarje?

Dumani: Për dy vjet që kam nejt unë me Henrikun, i bie të rrimë këtu gjatë, një nga ngjarjet që i kam tregu ka qenë vrasja e Fatmira Dedës. Tjetër s’më kujtohet për momentin.

Avokati: Nuk m’u përgjigjet për pyetjen, i keni treguar Henrikut edhe ngjarje të tjera?

Dumani: Kjo më kujtohet, por kur rrija me Henrikun nuk kishim dhe shumë kohë për të folur për ngjarje të shkuara, se kishim shumë ngjarje nëpër duar.

Avokati: A keni marrë porosi nga ndonjë person, që ke dashur ta kryesh, por nuk e ke realizuar dot?

Dumani: Porositë i merrja kur bëhej pagesa ose gjysma e pagesës.

Avokati: Ju kujtohet t’i keni kërkuar Henrikut që doni të kryeni një ngjarje dhe nuk e keni realizuar?

Dumani: Unë e quaj tentativë kur kam marrë pagesën, por muhabete kot palidhje kemi bërë ne.

Avokati: I keni deklaruar në gjykatë të gjitha ngjarjet?

Dumani: Këto që kam deklaruar këtu i keni dëgjuar, i kam deklaruar në vend tjetër.

Avokati: A kanë qenë edhe persona të tjerë?

Dumani: Ka qenë edhe Festim Qoli, kur ne kemi bërë biseda, kemi qenë te shtëpia ime, më vonë edhe në një drekë në Peqin, unë, Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta