Totti mbërrin mes polemikave në Moskë, zbulohet shifra që paguan rusët për legjendën e Romës

07/04/2025 21:50

Pas disa javësh polemikash dhe kritikash, Francesco Totti vendosi të udhëtonte në Rusi me djalin e tij për të marrë pjesë në “International Rb Award”.

Bëhet fjalë për çmime ndërkombëtare të organizuara nga “Ratings Bookmaker”, një nga portalet kryesore ruse dedikuar sportit dhe basteve.

Udhëtimi i ish-kapitenit të Romës ishte kthyer në një debat politik, sepse ai nuk kishte refuzuar apriori të shkonte në vendin që pushtoi Ukrainën dhe që është ende objekt i sanksioneve perëndimore.

“Po shkoj në Rusi si sportist, jo si politikan apo diplomat”, kishte saktësuar Totti.

“Unë kam promovuar gjithmonë vlerat e sportit në mbarë botën, fillimisht si futbollist dhe tani në një cilësi të re. Nuk do ta kisha problem të shkoja në Kiev për të njëjtat arsye”, nënvizoi ai.

Por media ka zbuluar se legjenda e Romës pritet të paguhet me miliona euro për këtë pjesëmarrje në Moskë. Nuk ka asgjë zyrtare, por flitet se ai do të marrë 1.8 milionë euro.

Nga pikëpamja ruse, vizita e Tottit në Moskë është një ngjarje e shumëpritur prej javësh.

Që nga mesi i marsit, kryeqyteti rus ishte stolisur me postera promovues në të cilët ish-kampioni përshkruhej si “perandori që kthehej në Romën e Tretë”, duke konfirmuar ambiciet e thella perandorake të Kremlinit dhe trashëgiminë e ndjerë thellë të ish-Perandorisë Romake dhe Kostandinopojës.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta