“Propozuam marrëveshje ‘zero në zero’ me SHBA-në para tarifave”, BE: Po bisedojmë, propozimi është ende në tryezë

07/04/2025 21:13

BE-ja luajti kartat e saj për të shmangur pasojat e tarifave të Trump, duke propozuar një marrëveshje “zero në zero”, që do të thotë se SHBA në thelb nuk do të vendoste asnjë tarifë për produktet evropiane dhe, përkatësisht, vendet evropiane do të tërhiqnin të tyren.

Ky propozim madje u bë disa javë përpara se Donald Trump të shpallte tarifat, por “ai mbetet ende në tryezë”, sipas zyrtarëve evropianë.

Siç raporton Guardian, Maros Sefcovic, komisioneri i Tregtisë së BE-së, tha se kishte propozuar tarifa zero për makinat dhe një sërë produktesh industriale, duke përfshirë farmaceutikë, gomë dhe makineri, gjatë takimit të tij të parë me Sekretarin e Tregtisë së SHBA-së, Howard Lutnick, më 19 shkurt.

Ai përsëriti se BE-ja mbetet e hapur për bisedime, por la të kuptohet se asgjë nuk do të përfundohet së shpejti: “Tani jemi në fazat e hershme të diskutimeve, sepse SHBA i sheh tarifat jo si një hap taktik, por si një masë korrigjuese”.

Trump ka kritikuar vazhdimisht deficitin tregtar të SHBA-së në mallra me BE-në, duke u fokusuar te makinat.

“Ata nuk na marrin makinat, nuk na marrin ushqimin, nuk marrin asgjë”, tha ai përsëri gjatë fundjavës.

Megjithatë, Sefcovic hodhi poshtë sugjerimet se vendet e BE-së do të braktisnin TVSH-në, një nga ankesat e Trump për BE-në. Ai tha se BE-ja ka shpenzuar “shumë kohë dhe energji” duke u shpjeguar homologëve të saj amerikanë se si funksionon taksa e shitjeve, duke përmendur përdorimin e saj në më shumë se 161 vende.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, t’i shikojmë gjërat, por duhet të jetë një zgjidhje me përfitim reciprok”, tha ai.

Megjithatë, vendet anëtare të BE-së do të votojnë të mërkurën për një raund të parë të hakmarrjes së mundshme në përgjigje të tarifave të çelikut dhe aluminit të Trump të shpallura muajin e kaluar.

Evropianët do të synojnë deri në 26 miliardë euro produkte amerikane, duke përfshirë motoçikletat Harley-Davidson, lëng portokalli dhe xhin, me tarifat që do të hyjnë në fuqi më 15 prill.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta