
Lana Del Rey ndau një foto nga dasma e saj me Jeremy Dufresne, gjashtë muaj pasi ata u martuan.
Në foton e ëmbël, të publikuar nga këngëtarja e njohur në llogarinë personale në Instagram, ai e përqafon nga pas dhe e puth në faqe, ndërsa Lara Del Rey mbyll sytë dhe buzëqesh. Të dy kanë veshur kapele marinari, teksa tek Lana Del Rey shkruhet “nusja”. Ajo postimin e ka bërë me rastin e pjesëmarrjes së saj në festivalin Stagecoach që do të zhvillohet nga data 25 deri më 27 prill në Kaliforni. Çifti u martua më 26 shtator 2024, në Des Allemands Swamp të Luizianës, ku punon Dufresne dhe ku u takuan për herë të parë. Sipas PEOPLE, ata kishin marrë licencën e martesës tre ditë më parë, nga zyra e sherifit të qarkut.
Këngëtarja 39-vjeçare dhe Dufresne, të cilët thuhet se njihen prej vitesh (ata u shfaqën në një foto së bashku në Facebook në vitin 2019), u përfol për herë të parë se ishin në lidhje pasi një video e TikTok e tyre duke u kapur për dore u shfaq. Dufresne është baba i dy fëmijëve dhe punon si specialist i certifikuar i turneve me varkë në ujërat e aligatorëve në Des Allemands, Luiziana.
Çifti u takua për herë të parë në mars 2019 kur Lana Del Rey mori pjesë në një nga turnet e tij me varkë. Këngëtarja ishte në Luiziana në atë kohë për një koncert në festivalin BUKU Music + Art Project.
Edhe pse këngëtarja ka kaluar shumë mirë në turin e Dufresne, mes tyre nuk ka pasur asnjë shkëndijë romantike. Gjashtë muaj më vonë, ajo filloi të takohej me aktorin dhe oficerin e policisë Sean Larkin, por marrëdhënia e tyre përfundoi me fillimin e pandemisë COVID-19. Kjo u pasua nga një lidhje e shkurtër me këngëtarin Clayton Johnson, me të cilin ishte fejuar, përpara se të ndaheshin në vitin 2021. Që atëherë ajo ka pasur një lidhje të shkurtër me Jack Donohue dhe muzikantin Evan Winicker. Lana Del Rey u ribashkua me Dufresne në maj 2024.
Top Channel