Gafa e administratës Trump, ja si u shtua gazetari në grupin e zyrtarëve amerikan

06/04/2025 19:14

The Guardian ka zbuluar se si ndodhi gabimi i Shtëpisë së Bardhë, në të cilën këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Walz, shtoi aksidentalisht gazetarin në një bisedë të mbyllur të Signal ku po zhvilloheshin diskutime rreth planeve të sulmit të SHBA në Jemen.

Konkretisht, gazetari i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, kishte zbuluar se ai ishte shtuar pa vetëdije në një grup në aplikacionin Signal, i cili përfshinte zëvendëspresidentin J.D. Vance, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Walz.

Sipas Guardian, duke cituar burime të mirëinformuara dhe tre persona me njohuri për incidentin, ishte një gabim i thjeshtë në ruajtjen “automatike” të një numri në një iPhone që çoi në zbulimin e informacionit të ndjeshëm.

Incidenti doli në dritë pasi një hetim i brendshëm i Shtëpisë së Bardhë zbuloi një zinxhir të pamundur ngjarjesh që filluan kur Goldberg i dërgoi email fushatës së Donald Trump tetorin e kaluar, por kaloi pa u vënë re derisa u krijua biseda.

Si ndodhi gabimi?

Siç raporton Guardian, tetorin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore të Donald Trump, Goldberg kishte dërguar një email në lidhje me një raport që kritikonte presidentin aktual të SHBA për trajtimin e tij ndaj veteranëve të plagosur.

Email-i i tij iu përcoll Brian Hughes, i cili më pas kopjoi dhe ngjiti përmbajtjen, duke përfshirë numrin e telefonit të Goldberg, në një mesazh me tekst te Waltz, duke e informuar atë për historinë.

Mike Waltz nuk kontaktoi kurrë me Jeffrey Goldberg. Gabimi kaloi pa u vënë re deri në muajin e kaluar, kur Waltz u përpoq të shtonte Brian Hughes në bisedën e grupit “Houthi PC small group”, por përfundoi duke shtuar edhe numrin e Goldberg.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta