Sulm i ri me raketa rus në vendlindjen e Zelensky, 14 të vdekur mes tyre 6 fëmijë

04/04/2025 22:12

Sulmet ruse në një zone banimi në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, kanë vrarë të paktën 14 persona dhe kanë plagosur 50 të tjerë, thanë autoritetet lokale, në një nga sulmet më vdekjeprurëse të vendit në javët e fundit.

Presidenti Volodymyr Zelensky, denoncoi sulmin ndaj vendlindjes së tij dhe tha se Moska “nuk dëshiron një armëpushim”, ndërsa konsultimet diplomatike kanë vazhduar që nga shkurti për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

“Çdo sulm me raketë dhe dron dëshmon se Rusia dëshiron vetëm luftë. Vetëm presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë dhe çdo përpjekje e mundshme për të forcuar Ukrainën, mbrojtjen tonë ajrore dhe forcat tona të armatosura do të përcaktojnë se kur do të përfundojë lufta,” shtoi Zelensky në një mesazh në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Sipas kreut të komandës ushtarake të Kryvyi Rih, Oleksandr Vilkul, forcat ruse hodhën një “raketë balistike” në qendër të një zone të banuar.

Raporti i fundit nga autoritetet thotë se të paktën 14 persona kanë vdekur, përfshirë gjashtë fëmijë dhe më shumë se 50 të plagosur.

“Numri i të plagosurve nuk ndalet,” shkroi në Telegram Serhii Lysak, kreu i administratës së rajonit Dnipropetrovsk, ku ndodhet Kriviy Rih.

Zjarrfikësit shuan disa zjarre në vend dhe pesë ndërtesa u dëmtuan nga granatimet, shpjegoi ministri i Brendshëm Igor Klimenko në Telegram.

Qyteti i Kriviy Rih është rreth 80 kilometra larg vijës së frontit dhe ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022. Rreth 600,000 njerëz jetonin në qytet para luftës.

Të mërkurën, katër persona u vranë atje dhe 14 të tjerë u plagosën gjithashtu në një sulm me raketa. Në fillim të marsit, një goditje e ngjashme goditi një hotel në qytet, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

Duke reaguar ndaj bombardimeve sot, Volodymyr Zelensky theksoi se “Amerika, Evropa dhe pjesa tjetër e botës mund ta detyrojnë Rusinë të heqë dorë nga terrori dhe lufta”.

“Rusia godet çdo ditë. Njerëzit vriten çdo ditë,” tha ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta