Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur prej kohësh rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë.

Në përgjigjen e saj ndaj interesimit të mediave në Prishtinë, ambasada amerikane atje shprehet se e presin me padurim bashkëpunimin me qeverinë e re për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nisi të mërkurën takimet me parti politike të pakicave, për t’u konsultuar rreth formimit të qeverisë së re të vendit. Ai është takuar me kryetaren e Partisë së Re Demokratike, NDS nga komuniteti boshnjak, dhe zëvendëskryeministre në detyrë, Emilija Rexhepi, me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashic, dhe kreun e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, IRDK, Elbert Krasniqi.

Gjatë së enjtes, sakaq, Kurti ka vazhduar takimet me përfaqësues të tjerë të partive joserbe. Rreth dy javët e mbetura deri te mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës konsiderohen të mjaftueshme që Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të zhvillojë bisedime me subjektet e tjera politike për konstituimin e legjislativit dhe për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka siguruar 48 vende në Kuvendin e Kosovës. Por, ato nuk mjaftojnë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit, si dhe për formimin e qeverisë, që kërkon të paktën 61 vota.

Top Channel