
Moti i keq ka goditur ishujt grekë duke shkaktuar probleme kryesisht në rrjetin rrugor.
Në zonën e quajtur Naousa, rrugët që u kthyen në lumenj të rrëmbyeshëm kanë marrë dhjetëra makina të parkuara dhe çfarë do gjë që u dilte përpara duke e çuar në gjirin e portit.
Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura sot jo vetëm në Paros, por edhe në Mykonos, Symi, Kos dhe Rodos, ndërsa para mesnatës banorët e ishujve të tjerë si Hios, Samos dhe Ikaria, u është kërkuar të kufizojnë lëvizjet, raporton korrespodenti i Top Channel, Aleksandër Marku.
Sipas meteorologëve vetëm brenda pak orësh në Mykonos u regjistruan 100 milimetra shi për metër katrorë dhe 70 në Naoussa të Parosit. Organet vendore kanë deklaruar se nuk ka raportime për të lënduar në këto ishuj të njohur si destinacione turistike.
Shërbimi kombëtar i motit ka deklaruar se moti i keq me reshje dhe erëra të forta deri në 74 kilometra në orë do të vazhdojë edhe të paktën 48 orë. Prej mëngjesit të së martës reshje shiu dhe stuhi sporadike janë regjistruar në disa qarqe të vendit, ku ato më intensive janë vërejtur në Chania të Kretës.
Të paktën 3 drejtues mjetesh janë nxjerrë nga makinat e tyre prej forcave të zjarrfikësve në një prej zonave të përmbytura të qytetit dhe organet vendore kanë paralajmëruar banorët për fenomene të tejskajshme të motit.
Top Channel