
Regjisori amerikan Oliver Stone do të dëshmojë të martën në një seancë dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, e cila po shqyrton mijëra faqe dokumentesh që lidhen me vrasjen e presidentit John Fitzgerald Kennedy në vitin 1963 dhe që u lëshuan me urdhër të Donald Trump.
Menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzon agjencitë kombëtare të inteligjencës dhe zyrtarët e tjerë të zhvillojnë shpejt një plan për publikimin e plotë të të dhënave në lidhje me vrasjen e Presidentit Kennedy.
Koleksioni i arkivit të vrasjes së Kenedit përfshin më shumë se 6 milionë faqe dokumentesh, shumica e të cilave ishin deklasifikuar dhe bërë publike përpara urdhrit të Trump.
Filmi i Stone-it i vitit 1991, “JFK”, me Kevin Costner në rolin kryesor, u kritikua nga historianët për sugjerimin se vdekja e Presidentit Kennedy ishte rezultat i një komploti. Vrasja e Kenedit i është atribuar zyrtarisht atentatorit të vetëm, Lee Harvey Oswald. Megjithatë, Stone beson se Kennedy nuk u vra nga një vrasës i vetëm dhe është i mendimit se individë të caktuar nga shërbimet sekrete amerikane mund të kenë qenë të përfshirë.
Siç vë në dukje The Guardian, Departamenti i Drejtësisë dhe agjencitë e tjera të qeverisë federale kanë konfirmuar që nga vitet 1960 se Oswald ka vepruar i vetëm. Sondazhet tregojnë se shumë amerikanë ende besojnë se vdekja e tij ishte rezultat i një komploti.
Top Channel