Samiti në Londër për emigrantët/ Qeveria e Starmer nën presion, britanikët kërkojnë marrëveshje se ajo me Shqipërinë

31/03/2025 19:22

Për të kuptuar rëndësinë e këtij samiti të paprecedentë për migracionin ilegal dhe luftën kundër trafikimit të organizuar kriminal, mjafton t’i referohesh shifrave të kryeministrit Starmer, i cili sot në Londër në Samit tha se Britania ka rikthyer në vendet e tyre 24 mijë persona që nuk do duhej të jetonin në Britani që kur erdhën në pushtet para 8 muajsh.

Ndërkohë, Starmer nuk përmendi se rreth 30 mijë emigrantë të rinj kanë mbërritur që nga qershori i kaluar në brigjet angleze me 542 gomone, ku vetëm në tre muajt e parë të këtij viti kanë mbërritur mbi 6 mijë e 500 emigrantë të tjerë.

Këto shifra tmerrojnë britanikët e thjeshtë, që ishte një nga arsyet përse votuan largimin e konservatorëve nga pushteti dhe dhënien e një shansi laburistëve.

Dhe sondazhet janë të vështira për t’u lexuar nga laburistët dhe britanikët; për momentin i kanë hedhur sytë nga Partia Reforma e babait të Brexit, Nigel Farage, me qëndrim mjaft të ashpër kundër emigracionit.

Kryeministri kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar nga çdo vend në këtë luftë vitale për sigurinë ndërkombëtare.

Interesant ishte fakti se ai përmendi Vietnamin dhe Shqipërinë në fjalën e tij hyrëse si raste bashkëpunimi në këtë luftë, ku një pjesë shumë e madhe e të kthyerve janë nga marrëveshja me Shqipërinë e vitit 2023 mes Ramës dhe Sunak.

Britanikët dukshëm janë gjithnjë e më vokalë në dëshirën për një variant të tyre të skemës deportuese të Ruandës, e iniciuar nga Boris Johnson, që laburistët e kanë braktisur, pasi sipas Starmer, 700 milionë stërlina u harxhuan për vetëm 4 emigrantë të rikthyer vullnetarisht.

Mbetet enigme nëse britanikët do të duan të avancojnë me idenë e ngritjes së qendrave në vende të tjera për përpunimin e kërkesave për azil të atyre që mbërrijnë në Britani, pak a shumë si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe nëse kjo ide do të ngrihet me përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë në samitin e Londrës. Shqipëria deri më sot e ka hedhur poshtë një ide të tillë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta