
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi në Kavajë “Dëshmorin e Kombit”, Indrit Cara, në 26-vjetorin e rënies në luftën e Kosovës, në një ceremoni solemne ku u inaugurua monumenti i tij.
Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule në shtatoren e “Ushtar Kavajës” në nderim të veprës sublime për kombin. Ai vlerësoi vendosmërinë dhe sakrificën e 28-vjeçarit nga Kavaja, i cili la Anglinë dhe iu bashkua djemve dhe burrave në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar. Ai është një emër i gdhendur në historinë e kombit tonë, një model frymëzimi që tregon rrugën për të rinjtë tanë: frymën e sakrificës, forcën e unitetit dhe rëndësinë e veprimit për të mirën e kombit tonë. Në dhjetor të vitit 1997, Indriti shkroi: I bëj thirrje të gjithëve që e ndiejnë veten sadopak shqiptarë të ndihmojnë luftën, këtë filiz shprese, force e krenarie, ta ndihmojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për t’u përballur me ushtrinë serbe.
Ai ishte vetëm 28 vjeç kur iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar me vendosmëri dhe sakrificë. Më 31 mars 1999, për të mbrojtur dhjetëra mijëra civilë, burra, gra e fëmijë në zonën e Pashtrikut, Ushtar Kavaja mori detyrën të rimerrte dhe të mbronte majën e malit të Gallushës, detyrë të cilën e realizoi me sukses, por Indriti ra dëshmor. Ai u ngrit përjetësisht në pavdekësi.
Dhe, si në baladat e lashta shqiptare, në tetor të vitit 1999 eshtrat e Indritit u kthyen të preheshin në vendlindje. Ushtar Kavaja u shndërrua dhe iu kthye si engjëll Kavajës dhe familjes së tij”, tha Begaj.
Në nderim të veprës së tij, Indrit Cara është nderuar me dekoratën e lartë “Shqiponja e Artë”. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nderuar me titullin “Heroi i Kosovës”.
Bashkia e qytetit të Kavajës dhe Këshilli i Rrethit e shpallën “Dëshmor të Kombit dhe Atdheut”. Në përkujtim të tij, bulevardi kryesor mban emrin e tij dhe shkolla 8-vjeçare ku Indriti mësoi mban emrin e tij.
Top Channel