Gjykata e Sarandës ka liruar 17-vjeçarin K. Cora, duke i caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Cora u arrestua nga Policia e Sarandës më 27 mars 2025, si autor i dyshuar i plagosjes me thikë të 17-vjeçarit B. Kalemi, ngjarje që ndodhi në rrugën “Butrinti” të qytetit të Sarandës.

Kalemi mori tre thika në stomak dhe në ijë dhe u transportua në spitalin e Vlorës për mjekim të specializuar. Pas arrestimit të Corës, u shoqërua edhe një person tjetër, shok i Kalemit, për të dhënë dëshmi. Pas hetimeve, Prokuroria e Sarandës arriti në përfundimin se ngjarja kishte ndodhur ndryshe nga sa ishte raportuar fillimisht. Dyshohet se Cora ishte sulmuar nga Kalemi dhe, në kushtet e vetëmbrojtjes, e kishte plagosur me thikë.

Për këtë arsye, prokurorja Esmeranda Basho ndryshoi akuzën ndaj Corës nga “Plagosje e rëndë” në “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Ajo kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjyqtarja e hetimeve paraprake, Edona Vajushi, e miratoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi që Cora të mbetet në arrest shtëpie, me përjashtim të orareve të ndjekjes së proceseve mësimore dhe edukative, pas miratimit të lejes së lëvizjes nga organi i akuzës.

Për momentin, nuk është ende e qartë nëse do të ngrihet akuzë për goditjen e 17-vjeçarit Cora, pasi nga hetimet paraprake janë vërejtur shenja sulmi edhe në trupin e tij. Cora mbrohet në gjykatë nga avokati Clirim Shahini.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta