
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbrojtur sot publikisht koncesionin e pullave fiskale të dhënë nga qeveria e tij 13 vjet më parë, megjithëse ishte tarifa më e lartë në Europë.
Nga 2012 biznesi paguante deri në 32 euro për 1 mijë pulla, ndërsa BE 3 dollarë dhe Kosova 2.2 dollarë. Por sipas Berishës këto pulla ishin smart dhe parandalonin kontrabandën.
“Pullat fiskale të kompanisë zvicerane kanë qenë pulla smart dhe ato nuk lejonin me detektorë ato zbulonin çdo kontrabandë.
Kanë qenë pulla me kod, pulla smart.
Këta, për t’i hapur dyert në të katër anët e kontrabandës, e morën dhe ia dhanë printimin e tyre, ndërmarrjes së prodhimit të letrave me vlerë, duke hequr çdo garanci që kishin”, tha Berisha.
Pas përfundimit të kontratës me SICPA, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale i janë dhënë një shoqërie të re me pronësi të përbashkët shqiptaro-arabe: “AlbTrace Co”.
Berisha tha se po e ndjek këtë çështje dhe premtoi se nëse do të vijë në pushtet, tarifa për 1 mijë pulla fiskale do të jetë 3 euro, 7 fish më pak se sot.
“Po e ndjek këtë. Kam dijeni që po tentohet të rikthehet me një emër tjetër, por ne po e ndjekim, jemi në dijeni të këtyre zhvillimeve.
Sidoqoftë unë shpalla çmimet dhe çmimet nuk ndryshojnë. Pse ato çmime? Ato janë çmime të BE. 3 euro për 1 mijë pulla janë çmime të BE, nuk i kemi shpikur.
Ne do zbatojmë çmimet e BE, ta dijë edhe ajo kompania që interesohet, ne do zbatojmë këto çmime”, deklaroi kreu i PD.
Top Channel