“Kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë, sot jemi një hap larg grekëve”/ Rama tregon bisedën me taksistin në Athinë dhe fton emigrantët të kthehen: Nesër, do të jeni shumë më mirë se këtu

30/03/2025 16:52

Në fjalën e tij gjatë takimit me shqiptarët në Athinë, kryesocialisti Edi Rama tregoi bisedën me një emigrant që jeton në vendin fqinj, teksa u shpreh se së shpejti shqiptarët do të jenë njësoj të barabartë me shtetasit europianë.

“Një taksist më tha që ‘kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë se këta këtu, sot jemi një shkallë larg tyre. Jemi gati për ta ngjitur dhe për t’u bërë njësh me të gjithë evropianët e tjerë, duke u ulur në sofrën e përbashkët të familjes së bashkuar evropiane. Më vjen mirë që sot që kemi ardhur këtu jemi në gjendje të ndajmë jo vetëm atë që kemi bërë për ta ngritur Shqipërinë aty ku nuk kemi qenë asnjëherë, por për ta ngritur në një pikë ku ëndrrat dhe shpresat nuk duken më aq të paarritshme sa dukeshin dikur”.

Ndryshe nga koha kur morëm detyrën, sot Shqipëria është një vend që e ka në dorë fatin e vet, u shpreh Rama.

“Sot, fati ynë është në dorën tonë. Kur e morëm ne qeverinë, kishte një borxh rreth 80%, shërbimet kishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta që qeveria nuk u paguante më. Të gjitha ato planet e Shqipërisë së rrugëve kishin mbetur rrugëve, u ishin prerë shiritat, por nuk u ishin dhënë paratë. Kur morëm detyrën, paga mesatare ishte 370 euro, ndërkohë që sot, me vitin 2024 të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1000 euro, e shohim me shumë optimizëm mandatin e katërt”.

Ai ftoi emigrantët të kthehen në atdhe, duke iu premtuar se e nesërmja në Shqipëri do të jetë më e mirë se në Greqi.

“Për ata që duan të kthehen, por ende ngurrojnë se janë të pasigurt, unë ju them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të ketë më shumë se sa do të ketë duke qëndruar këtu. Ju me siguri dëgjoni ata që na përqeshin, që bazohen te pasqyrat e moçaleve, që fatkeqësisht edhe ju jeni të detyruar t’i shihni kur hyni në ekranet e telefonave tuaj për të marrë lajme nga Shqipëria”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta