
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke zbuluar edhe një model të pasaportës që, sipas tij, do të përdoret nga shqiptarët pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Kjo është fytyra e pasaportës shqiptare evropiane,” u shpreh Rama, duke theksuar se dizajni i ri përmban elementët e sigurisë të standardeve të BE-së. Ai vuri në dukje se, megjithëse qytetarët shqiptarë sot udhëtojnë pa viza, ende përballen me kontrolle shtesë në kufijtë evropianë.
“Me pasaportën e BE çdo ambasadë e BE të vjen në ndihmë kudo ku ndodhesh, nëse nuk ke pranë një ambasadë shqiptare. Kjo është një mundësi reale historike, një derë e hapur. Anëtarësimi në BE është aty, pasaporta e BE-së për të gjithë është aty. Duhet që në 11 maj shqiptarët të na japin mandatin dhe jo vetëm të na japin mandatin, por t’i japin një mesazh shumë të fortë të gjitha vendeve të BE-së, t’i japin një mesazh shumë të fortë Brukselit, duke votuar masivisht për anëtarësimin BE dhe për pasaportën e BE-së. Tani çfarë është BE-ja përveçse një pasaportë? Një treg i përbashkët, një hapësirë bashkëjetesë. BE-ja është edhe një perimetër vlerash dhe parimesh, ku liria individuale, barazia para ligjit dhe standardet demokratike janë gurë-themelet e asaj bashkëjetese.“, shtoi më tej Rama.
Top Channel