
Shqiptari Amarildo Vllazeria, ish-kryetar i bashkisë së Mortsel-it në Belgjikë ra në prangat e policisë pasi doli në përgjimet e aplikacionit Sky Ecc.
Ai u arrestua të martën në lidhje me një hetim droge dhe më pas është liruar me kusht, sipas mediave vendase.
Detektivët nga FGP Antëerp bastisën pesë vende të martën, duke përfshirë bashkinë e përkohshme në Meerminne, zyrat e OCMW Mortsel në Deurnestraat dhe adresat në Wilrijk dhe Antwerp.
Tre persona rreth të njëzetat janë arrestuar, mes tyre edhe Amarildo Vllazeria 27 vjeç.
Ai do të bënte betimin si këshilltar bashkiak në qytetin e Mortsel të martën në mbrëmje dhe do të zëvendësonte Caro Abutoh për tre muaj.
Të tre dyshohet se ishin anëtarë të një organizate kriminale që ishte përfshirë në trafikun e kokainës nëpërmjet portit të Antwerp në 2020 dhe 2021.
Kjo duket nga mesazhet e deshifruara nga Sky ECC, ku diskutohet për importin e më shumë se 150 kilogramëve kokainë. Droga do të eksportohej edhe në vende të tjera, në automjete të pajisura me ndarje të fshehura.
“Flitet për importe nëpërmjet portit të Antwerp-it, ku po rekrutohen edhe punëtorë të portit,” thotë zëdhënësi i zyrës së prokurorit publik, Kristof Aerts.
“Kishte gjithashtu plane për një plantacion kanabisi në Mortsel.”
Gjatë kontrolleve u gjetën mallra luksi, celularë dhe 9 mijë euro cash.
Sipas prokurorisë publike, ka të dhëna konkrete se Vllazeria është përfshirë në eksportin dhe transportin e lëndëve narkotike.
Edhe të tjerët që u arrestuan të martën, u liruan, ndërsa hetimi është ende në vazhdim, thekson prokuroria.
Vllazeria ka qenë kryetar i komitetit të posaçëm të shërbimeve sociale, ish-këshillit të OCMW, nga tetori 2023 deri në përfundim të mandatit të mëparshëm.
Ai ka shërbyer edhe në këshillin policor të zonës së policisë Minos.
Gjatë zgjedhjeve për këshillin e bashkisë në tetor 2024, Vllazeria nuk u zgjodh për një vend në këshillin e bashkisë.
Ai është ende anëtar i komitetit special të shërbimeve sociale.
Hetimi do të mund të sqarojë nëse Vllazeria ka abuzuar me mandatet e tij në qytetin e Mortselit.
Veprat e drogës dhe organizata kriminale në të cilën thuhet se ka qenë i përfshirë datojnë nga viti 2020 dhe 2021, kur ai ishte ende kryetar. Vllazeria është këshilltar në Mortsel që nga viti 2018.
Kryebashkiaku Michiel Hubeau i Mortsel dhe kryetarja e komitetit special, Nadia Saouti, nuk deshën të komentojnë mbi operacionin.
“Ne nuk jemi të përfshirë në hetim”, tha ai.
Top Channel