
Hamdi Salihi një prej emrave të rëndësishëm të historisë së sulmit kuqezi dhe jo vetëm, nuk është më prej disa muajsh as pjesë e kombëtares kuqezi, pjesë stafit të Sylvinhos, duke mbyllur pas europianit të Gjermanisë 2024.
Ai që kur la futbollin u transferua në Amerikë me familjen e tij dhe për 5 vite ka qenë sërish në lëvizje. Në një rrëfim për Top Channel ish-bomberi kuqezi tregon arsyet.
“Me kalimin e kohës familja, dhe kalamajt kanë kërkesat e veta për këtë arsye pas europianit i kërkova misterit, presidentit dhe drejtorit që të marr një pushim, e mirëkuptuan dhe më kanë lënë derën e hapur që sa herë të jetë mundësia të kthehem”, tha ish-zv.trajneri i Kombëtares.
Por një njeriu si ti që nuk të konceptojmë dot pa futbollin nuk e di se si është ndjerë larg ekipit në fillimin e këtyre eliminatoreve të Botërorit dhe si i ke parë ndeshjet?
“Me thënë të vërtetën sa herë vjen periudha e grumbullimit fillon e më përzihet nga emocionet sikur po luaj vetë. Ndeshja me Anglinë na tregoi më së miri që kemi shumë punë për të bërë për të shkuar ku duhet apo ku mendojnë shumica dhe kryesisht tifozët që jemi, por nuk jemi aty”.
Përpara tashmë do të kemi një kundërshtar që e konsiderojmë si të barabartë, si e shihni Serbinë përballë Shqipërisë?
“Pas ndeshjen e fundit me Austrinë, kanë bërë dy ndeshje shumë të mira ndaj një ekipi super të organizuar, do të jenë ndeshje të vështira pasi edhe niveli i kombëtares sonë është rritur. Grupi B i Ligës së Kombeve ku luajtëm me Çekinë apo Ukrainën na ka rritur edhe më tepër sepse po mësohemi të luajmë me skuadra më të forta”.
Por Anglia nuk është kundërshtari ynë në këtë grup, ne rivalin direkt kemi Serbinë.
“Edhe për to fokusi është Shqipëria, duke qenë se jemi në të njëjtin nivel pak a shumë, kam 100% besim, por se si shkon ndeshja nuk i dihet asnjëherë.”
Top Channel