
Kryesocialisti Edi Rama prezntoi programin ‘Shqipëria 2030’ në garën elektorale për mandatin e katërt.
“4 vjet më parë, këtu në këtë sferë, ne shpalosëm piketat kryesore të programit qeverisës të mandatit të tretë.
Ishte një kohë tejet e vështirë, pas një tërmeti shkatërrimtar dhe në mesin e një pandemie që kryqëzoi mbarë botën.
Të dashur pjesëtarë dhe pjesëtare të skuadrës sonë kombëtare të mandatit të 4!
Ka dy arsye pse unë desha të rikthehemi sot pikërisht këtu, për të shpalosur majën e Shqipërisë 2030, duke përshkuar pikat më domethënëse të kthesës së fortë historike që Shqipëria ka bërë gjatë qeverisjes sonë.
Arsyeja e parë është se në një moment reflektimi dhe gjykimi të sovranit popull, siç është koha e zgjedhjeve, ka gjithnjë nevojë për të kujtuar nga jemi nisur, çfarë kemi kaluar për të arritur deri këtu sepse vetëm duke mos e harruar të djeshmen, ne mund ta shohim me qartësi të nesërmen.
Arsyeja e dytë është se duke e zhvilluar kështu këtë komunikim mes nesh dhe për publikun, jo vetëm kursejmë kohë, kursejmë energji, kursejmë edhe shpenzimet që përndryshe do të bënim të gjithë bashkë e po të mblidhnim dhe të tjerë këtu në Tiranë, por edhe krijojmë një mjedis besoj unë, më intim komunikimi me të gjithë ata që na ndjekin nga shtëpia apo nga celulari i tyre.
Kur unë isha këtu me skuadrën e mandatit të tretë, Shqipëria ishte peng i dinamikave të brendshme të BE dhe fillimi i negociatave, i cili rekomandohej çdo vit nga Komisioni Evropian, kundërshtohej dhe bllokohej nga një vend, nga dy vende, nga një vend prapë për arsye që nuk kishin lidhje me ne, por ju e dini historinë; refuzonin të bënin konsensusin e Këshillit Europian.
Megjithatë, ne nuk u dorëzuam asnjë ditë dhe zhgënjimi nga refuzimet arbitrare 3 herë rresht të rekomandimit të Komisionit Evropian të negociatave, e kthyen për vite me radhë në forcë të shtuar për të punuar, punuar, punuar, njësoj sikur t’i kishim hapur negociatat dhe për të përparuar, duke ndjekur të gjithë hartën e rrugës së negociatave, për të qenë gjithmonë gati sapo të vinte dita jonë.
Nga ana tjetër, ne e ngritëm çdo vit e më lartë emrin e Shqipërisë dhe e pozicionuam ndërkombëtarisht flamurin tonë kombëtar, aty ku, jo nuk kishte qenë kurrë, po ku as imagjinohej për hir të vërtetës, deri në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Po ashtu, ndërtuam kanale komunikimi të drejtpërdrejtë me partnerët tanë ndërkombëtarë në kohë reale, deri në nivelet më të larta, duke arritur, deri të influencojmë dhe për këtë jam shumë krenar, politikën e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë dhe konkretisht Plani i Ri i Rritjes, i cili solli një mbështetje financiare ekstra për vendet e Ballkanit Perëndimor, nisi këtu në Tiranë nga takimet bilaterale dhe u përpunua gjatë gjithë kontakteve, qoftë me Brukselin, qoftë me kryeqytetet, duke i bindur aktorët kyç të politikës europiane se duhej bërë një sforco ekstra, ndërkohë që vendet tona vazhdojmë procesin në rrugën e anëtarësimit.
Shkurt fjala, ne luftuam, ne duruam dhe në fund e fituam me meritë të plotë ndeshjen e gjatë politike dhe diplomatike për të hapur negociatat e anëtarësimit, duke u ulur në tryezë ballë për ballë me Komisionin Europian.
Dhe sot jemi aty ku nuk mund absolutisht të parafytyrohej kur e nisën detyrën dhe kur Shqipëria shihej në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin më të zakonshëm me mosbesim të plotë dhe në rastin më të keq me përçmim. Pse jemi aty ku nuk mund të imagjinohej? Jo se hapëm negociatat, por sepse sot ne, Shqipëria kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në për t’i mbyllur negociatat për dy vitet e ardhshme dhe për herë të parë kemi në dorë mundësinë historike, mundësinë reale, mundësinë aktuale, që të hyjmë në Bashkimin Evropian, të hyjmë tani, brenda kësaj dekade, jo në dekadën e ardhshme, sepse yjet janë rreshtuar në favorin tonë.
Ylli i fatit tonë është rreshtuar me yjet e fatit të Evropës dhe po e përsëris, këtë mundësi nuk e kemi pasur kurrë, sepse për herë të parë, nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë sa më parë në Bashkimin Evropian, por është edhe Bashkimi Evropian që kërkon të na marrë brenda në gjininë e vet sa më parë. Prandaj po negociojmë me një vrull të jashtëzakonshëm, një vrull i dyanshëm, jo thjesht nga ana jonë, por dhe nga ana e tyre, për të mbyllur në një hark kohe rekord absolut, duke pasur parasysh që vetëm vjet i kemi nisur negociatat; hark trevjeçar, një proces që për të tjerët ka zgjatur shumë më tej. Duhet t’i tregojmë njerëzve, duhet t’i vëmë përpara syve realitetin dhe duhet të gjithë ta marrin pak me mend që Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012, kur ne nuk ishim akoma kandidatë për Bashkimin Evropian, Serbia në 2014, ndërsa Maqedonia, e cila ndërroi edhe emrin për t’u futur në Bashkimin Evropian, imagjinojeni, e ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2005 dhe akoma nuk i ka filluar negociatat“, u shpreh Rama.
Top Channel