Kryeministri Edi Rama prezntoi programin ‘Shqipëria 2030’ në garën elektorale për mandatin e katërt.

Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti u bëri thirrje qytetarëve që të kontributi i tyre konsiston në investimin e votës për PS dhe Edi Ramë, numrin 5 në fletën e votimit në zgjedhjet e 11 majit.

Ne kemi shansin historik t’i mbyllim për tre vjet, 2024-2027, po për këtë na duhet të mos humbasim as edhe një minutë, si dhe t’i çojmë BE një mesazh të fuqishëm: Nga populli shqiptar i 11 majit, një mesazh përtej shumicës aritmetike, duam pasaportën e BE-së për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar dhe shqiptare. Një pasaportë për çdo shqiptar është një ambicie që, deri pak vite më parë do të dukej çmenduri ta kishim në prag të zgjedhjeve për mandatin e 4.

Kjo është një pasaportë që ngjan shumë me atë që çdo shqiptar do të ketë në dorë. Këto janë elementët e ri të sigurisë të pasaportës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe kjo është shqipja. Shqipja është simbolikisht fytyra e pasaportës zero, ‘’shqipe Tirana’, me kombësi shqiptare, qytetare shqiptare, me një pasaportë evropiane. Sa herë zbresim prej 35 vjetësh në një aeroport në Itali, Gjermani, Greqi, kudo tjetër në BE, na tregojnë me gisht një korridor më vete, ku duhet të shkojmë dhe të futemi në radhë si në kohërat e vjetra. Ndërkohë që, evropianët që zbresin bashkë me ne nga avioni apo nga trageti kalojmë me shpejtësi në një korridor tjetër pa radhë dhe dalim matanë sa hap e mbyll sytë, nuk duken më.

Ne vërtetë s’kemi viza për të lëvizur në Evropë, por ama s’kemi as të drejtë për të ndaluar në një vend të Bashkimit Evropian. Prandaj, kur arrijmë në kufijtë e BE, aty në radhë na merr në pyetje gjithmonë një polic që e kthen pasaportën mbarë e mbrapsht dhe pastaj pyet “Ku po shkon, sa lekë ke me vete, me kë je? Kush të ka ftuar? Ke ndonjë rezervim hoteli? Ku do rrish? Sa do rrish?”.

Dhe pastaj të thotë atë fjalinë e tmerrshme, “kur do ikësh?”.

Kjo është një histori që mund të vazhdojë shumë gjatë akoma, nëse ne së bashku nuk e mbyllim përfundimisht duke i vënë kapak në mënyrë që të mos na ndajë më askush nga ajo tufa e bashkudhëtarëve tanë evropianë, kudo ku lëvizim brenda perimetrit të BE, që të mos hyjmë më në radhë, që të mos japim më llogari përpara një polici në aeroport, sepse po hyjmë në një vend të  BE-së. Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptareje, çdo shqiptari pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030.  Mesazhi ynë është i qartë. Për t’iu dhënë pasaportën e BE na duhet, jo thjeshtë një mandat i 4, po na duhet një mandat i fortë, më i fortë se të tre mandatet e derisotme.

Prandaj, kush e do pasaportën e BE-së, patjetër duhet t’i japë kontribut që Shqipëria të hyjë në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës, aty në qendër të fletës së votimit, ku është numri 5 dhe ku shkruan Partia Socialiste dhe Edi Rama.

Askush tjetër – këtë duhet ta bëjmë shumë të qartë për të gjithë – nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Çdo luhatje, çdo ndalesë, çdo konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet sepse një mijë vajza e djem, që teksa ne po flasim sot, janë në zyra dhe punojnë për negociatat. Kanë një kalendar aq të ngjeshur, saqë çdo javë dy ministret tona, Majlinda dhe Adea, që janë Kryenegociatorja dhe Zv/kryenegociatorja ulen përpara palës europiane dhe japin llogari se çfarë u bë javën e shkuar, javë për javë, për javë, për javë.

Janë çerek milionë faqe me legjislacion me rregullore, me dokumentacion që duhet absorbuar i gjithi, në ndërkohë që janë edhe reformat për t’u thelluar, e s’mund t’i thellojë dot askush tjetër përveç nesh. Pasaporta evropiane e shqiptarëve nuk është vetëm liri hyrjeje në çdo kufi të BE-së, nga ai korridori pa radhë, në çdo raport, në çdo portë, në çdo doganë tokësore, po është edhe liri qëndrimi, në çdo pikë brenda perimetrit të kufirit të Bashkimit Evropian, nga Varshava në Lisbonë, nga Madridi deri lart në vendet baltike, nga Stokholmi deri poshtë në Athinë.

Me pasaportën e BE, Evropa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Evropa.

Me pasaportën e BE-së, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë do të studiojnë në çdo universitet të Evropës me të njëjtat kushte, me të njëjtat tarifa si studentë të barabartë evropianë dhe jo me tarifa ekstra dhe as përmes kuotave të ngushta si studentë të huaj.

Me pasaportën e BE, çdo shqiptar dhe shqiptare do të mund të punojë pa leje pune kudo qoftë, nga Stokholmi në Lisbonë, nga Madridi në Varshavë, duke gëzuar të njëjtat të drejta si suedezët në Suedi, si portugezët në Portugali, si polakët në Poloni, si spanjollët në Spanjë, si dhe duke përfituar edhe kartën, kartën sociale të BE-së për të përfituar nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të cilitdo shteti, ku gjendet i punësuar apo e punësuar në Bashkimin Evropian.

Me pasaportën e BE-së, do të bëhet shumë më e lehtë edhe hyrja pa viza në shumë vende jashtë BE, apo dhe punësimi në ato vende. Me procedura krejt të tjera nga ato që duhen sot për një shqiptar apo për një shqiptare, me pasaportën e BE-së, shqiptarët do të përfitojnë nga të njëjtat standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave individuale para çdo institucioni dhe para çdo gjykate, në çdo vend të BE, askush s’do i trajtojë më “Hajt, më se këta shqiptarë’’.

Janë evropianë të barabartë mes evropianëve, që nga sekonda që zotërojnë pasaportën e BE-së“, shtoi Rama.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta