
Në një fshat të vogël të Kuçovës u rrit Fatmira. E rritur mes varfërisë, fëmijëria e saj nuk pati kurrë lodra apo ëndrra të mëdha, por vetëm nevojën për të mbijetuar.
Para 15 vitesh, kur u njoh me Idaetin, shpresoi se jeta do të merrte një tjetër kthesë. U martuan dhe u zhvendosën në Cërrik, në një shtëpi me qira.
Idaeti nuk ishte i shëndetshëm. Zemra dhe mushkëritë e tij ishin të sëmura, por Fatmira e pranoi ashtu siç ishte. Punonte pa u lodhur në bujqësi vetëm që të sillte pak para në shtëpi. Nuk u ankua kurrë, edhe kur duart iu plasaritën nga puna, edhe kur shpatullat iu rënduan nga lodhja.
Në gjithë këto vite, numëron vetëm dy gëzime të vërteta: lindjen e djalit të saj, Hamitit, dhe të vajzës, Xhuljanës. Dy drita të vogla në një jetë të mbuluar me terr.
Nga viti 2015 deri në 2020, familja e saj jetoi në një shtëpi të rrënuar, pa drita. Për pesë vite me radhë, vajza e saj nuk e njohu kurrë dritën e llambës, por vetëm atë të qirinjve dhe të zjarrit në vatër. Netët ishin të ftohta, të errëta dhe të trishta. Në këto kushte, një burrë i mëshirshëm, që kishte një tufë me bagëti, i strehoi në stanin e tij mes fushave dhe i punësoi si çobanë.
Por fati i keq nuk u largua kurrë nga dera e tyre. 40 ditë më parë patën sfidën më të madhe.
Idaeti u sëmur rëndë me hemorragji të brendshme dhe e morën me ambulancë. Hamiti, vetëm 12 vjeç, pa me sytë e tij momentin kur i ati, i tha: “Afrohu të të puth pak.” Dhe ajo puthje ishte lamtumira e fundit mes babait dhe djalit të tij.
Fatmira arriti ta shihte bashkëshortin vetëm pak para se ai të mbyllte sytë përgjithmonë. “Kujdesu për fëmijët. E ke amanet,” ishin fjalët e tij të fundit.
Një grua e vetme, me dy fëmijë të vegjël dhe pa asnjë mbështetje. Pronari i stanit i tha se duhet të largoheshin. Nuk kishte më vend për ta. Pa shtëpi, pa para, e vetme me dy jetimë, Fatmira u strehua në një shtëpi të pambaruar të kunatit. Por edhe kjo ishte një zgjidhje e përkohshme.
Në një cep të dhomës, Hamiti dhe Xhuljana përpiqen të mbajnë veten. Ata janë ende fëmijë, por jeta i ka detyruar të rriten para kohe.
Sot, Fatmira nuk ka më asgjë. Ka vetëm dy fëmijë që e shikojnë dhe pyesin: “Mami, ku do shkojmë tani?”
Hamiti dhe Xhuljana, të cilët janë rritur mes vuajtjeve dhe varfërisë ëndërrojnë të kenë shtëpinë e tyre një ditë.
Top Channel