
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka kërcënuar Bejrutin më 28 mars, pas sulmeve me raketa nga Libani, duke tronditur armëpushimin e brishtë, që ndërpreu më shumë se një vit armiqësi me Hezbollahun.
Hezbollahu është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka në listë të zezë krahun ushtarak të grupit, por jo edhe atë politik.
“Nëse nuk ka qetësi në komunitetet e Kirjat Shmonas dhe Galileit, nuk do të ketë qetësi as në Bejrut”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke iu referuar qytezave veriore drejt të cilave u lëshuan raketat.
Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha mëngjesin e së premtes se “dy predha” u lëshuan nga Libani drejt Izraelit. Një u rrëzua nga ushtria izraelite, ndërkaq një tjetër ra në territorin libanez.
Kjo është hera e dytë që gjuhen raketa nga Libani që nga marrëveshja e armëpushimit që i dha fund luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut – grup që mbështetet nga Irani – edhe pse Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme të kohëpaskohshme në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit.
“Qeveria libaneze mban përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për çdo sulm drejt Galileit”, tha Katz.
Raketa u lëshuan disa orë pasi sulmet ajrore izraelite vranë gjashtë persona në jug të Libanit dhe Izraeli tha se ka shënjestruar operativë të Hezbollahut.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi për granatime izraelite në fshatin Kiam, pesë kilometra larg nga kufiri izraelit.
Po ashtu, agjencia raportoi për sulme në komunitetin kufitar Kfar Kila dhe tha se ushtria izraelite kishte kryer bastisje në Hamames.
Më 8 tetor 2023, Hezbollahu nisi sulmet raketore ndaj Izraelit në mbështetje të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, pasi grupi palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në Gazë.
Armiqësitë ndërkufitare u përshkallëzuan në luftë të plotë, me Izraelin që kreu një fushatë të bombardimeve në Liban dhe dërgoi trupa në këtë shtet.
Armëpushimi i nëntorit bëri që Izraeli të tërhiqej pjesërisht, edhe pse trupat e tij vazhdojnë të jenë në pesë pozicione në jug të Libanit që Izraeli i konsideron strategjike, edhe pse afati për tërheqjen e trupave ka kaluar.
Top Channel