Emocionuese në “Për Shqiptarët”/ Mblidhet shuma e nevojitur për operacionin e Kajanit 6 muajsh

28/03/2025 22:20

Kajani është vetëm 6 muajsh, por po lufton për jetën që prej ditës që ka lindur.

Ai ndodhet në spital, mes aparaturave, i pafajshëm, i brishtë dhe në dhimbje që asnjë qenie kaq e vogël nuk do duhej t’i ndjente. Duart e tij të vogla duhej të shtriheshin drejt lodrave, sytë e tij duhej të shihnin fytyrat e buzëqeshura të vëllezërve. Kajani duhej të qeshte, të belbëzonte por në vend të kësaj, i duhet të përballojë një betejë që është shumë e madhe për një trup kaq të vogël.

Erdhi në jetë si gëzimi i tretë i Herolindës dhe Kestrinit, si pjesa që e plotësoi tablonë e familjes nga Prizreni. Dy vëllezërit e tij mezi e prisnin. I flisnin çdo ditë tek barku i mamasë, duke i premtuar se do e merrnin përdore, do e shëtisnin, do luanin bashkë, do qeshnin. Por asgjë nuk shkoi ashtu siç e kishin planifikuar.

Në ditën e tretë të jetës, prindërit kuptuan se diçka nuk shkonte. Dhe që nga ai çast, jeta e tyre u mbyll brenda mureve të një spitali. Pas shumë analizave, pas netëve të gjata mes ankthit dhe lutjeve, erdhi fjalia që e ka ngrirë botën e tyre: “Kajani ka probleme të rënda në mëlçi dhe zemër. Në Kosovë nuk ka shpresë për të.”

Me shpirt e zemër të thyer e morën të voglin e tyre dhe u nisën drejt Turqisë, duke kapur çdo fije shprese. Por edhe atje, rruga e shpëtimit u mbyll. Dhe tani, çdo minutë është një betejë kundër kohës. Kajani duhet të niset sa më shpejt jashtë vendit për një trajtim të specializuar.

Prindërit nuk largohen asnjë çast nga shtrati i tij. I kapin dorën e vogël, e puthin, i flasin me zë të butë sikur të mund ta lehtësonin dhimbjen. Por koha nuk premton. Trupi i tij i vogël po lodhet, po lufton me gjithçka që ka. Dhe tani, vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë. Por a do të vijë ajo mrekulli?

A do të ketë Kajani një shans të dytë për të parë diellin, për të dëgjuar zërin e vëllezërve të tij, për të bërë ato shëtitjet që ata i premtuan?

Çdo sekondë është e shtrenjtë. Ata luten për një mrekulli, që kjo jetë që ende s’ka nisur të shpëtohet.

Por në “Për Shqiptarët” ndodh mrekullia, sepse është mbledhur shuma e operacionit për Kajanin e vogël.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta