
Seriali i Netflix “Adolescence” ka marrë vlerësime të larta dhe është cilësuar si një nga më të mirët e dekadës së fundit.
Megjithatë, përtej ngjarjes dramatike, disa detaje të fshehura në skena të caktuara kanë një kuptim të thellë që zbulojnë më shumë rreth protagonistit Jamie Miller, i akuzuar për vrasjen e shoqes së tij të klasës.
Psikologia britanike Sheila Redfern, në një intervistë për Daily Mail, ka shpjeguar se si disa elemente të thjeshta – nga një sandviç me turshi deri te pozicioni i karriges – mund të ofrojnë çelësin për të kuptuar motivet dhe emocionet e Jamie-t.
Në episodin e tretë, për shembull, psikologia Briony Ariston i jep Jamie-t një sandviç me turshi, ndonëse ai nuk e pëlqen.
Ky veprim shihet si një provokim që synon të testojë reagimin e tij. Po ashtu, në një tjetër moment, Briony i ofron Jamie-t çokollatë të nxehtë gjatë një takimi në qendrën e paraburgimit, një teknikë që përdoret nga psikologët për të krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe për ta bërë pacientin të ndihet më të sigurt.
Veshja e psikologes, gjithashtu, është zgjedhur me kujdes. Këmisha dhe pantallonat blu të Brionit janë një zgjedhje e qëllimshme për të krijuar një ambient neutral dhe besueshmëri gjatë intervistave.
Po ashtu, pozicioni i karriges është një tjetër teknikë psikologjike, pasi Briony afrohet gradualisht më pranë Jamie-t për të nxitur hapjen e tij emocionale, veçanërisht tek fëmijët.
Top Channel