
Nga ligji “Paketa e Maleve”, 500 aplikantët e parë do të përfitojnë deri edhe 10 vite zero taksa e zero TVSH, tha kryeministri Edi Rama, përmes një postimi këtë mëngjes.
Sipas Ramës, ligj i ri i sapomiratuar i hap rrugë investimeve në agroturizëm, agropërpunim dhe turizëm malor.
“U jep një mundësi reale dhe mbështetje të posaçme të gjithë atyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve nga qyteti apo nga jashtë vendit, për të arritur një sukses ekonomik për familjen e tyre, me procedura krejt të thjeshtuara dhe lehtësira fiskale“, shkruan kryeministri.
Projektligji për “Paketën e Maleve”, ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të posaçme për: shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi; zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.
Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, pronari dhe investitori që ka lidhur marrëveshje me të kanë të drejtë të aplikojnë përkatësisht për pajisjen me leje ndërtimi, për pjesën e sipërfaqes në posedim për të cilën është lidhur kontrata, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, për aq sa këto të fundit nuk bien në kundërshtim me këtë ligj. Leja e ndërtimit miratohet nga KKTU-ja.
Top Channel