“Përpara se të vija unë, juve ju vendosnin koburet në kokë”/ Kokëdhima ‘përplaset’ me Jeminin në “Shqipëria Live”: I turpshëm, të kanë rrahur në fushë

27/03/2025 14:39

Presidenti i klubit të Apolonisë, Koço Kokëdhima është vendosur nën hetim për incidentin e djeshëm kur hyri në fushë gjatë ndeshjes së futbollit të femrave dhe u përplas fizikisht me arbitrin.

I ftuar në një lidhje direkt në “Shqipëria Live”, Kokëdhima shpjegoi se çfarë e shtyu të merrte atë veprim, teksa pati dhe një “përplasje” të ashpër me ish-arbitrin Lorenc Jeminin, me këtë të fundit që e kundërshtoi veprimin e presidentit të klubit fierak, me debatin që kaloi dhe në ofendime.

Kokëdhima: Unë kam protestuar aty. Madje kam zbritur dy herë në fushë. Kam folur me arbitrin dhe herën e dytë, mu desh të zbrisja prapë, sepse delegati më tha që të tre zyrtarët donin të dilnin nga fusha. Zbrita, i thashë disa fjalë atij zotërisë dhe ata dolën. Kjo është ajo që duket. Por ajo që mua më nxeh është që arbitri u përpoq me vetëdije të plotë ta vriste atë ndeshje. Kjo është e papranueshme në kulturën time. Ai kërkoi që të vendoste rezultatin kundër vajzave tona. Apolonia sivjet ka luajtur tre herë me Gramshin dhe Gramshi ka marrë vetëm një fitore në tavolinë. Ajo që pamë në Fier, ishte një situatë e papranueshme. Kodet tona nuk i lënë lojtaret tona të protestojnë.

Sidorela Gjoni: E ka kërcënuar trajneri arbitrin?

Kokëdhima: Me çfarë mund të kërcënojë trajneri? Trajneri ynë është një djalë i shkëlqyer. Edhe për trajnerin e Gramshit kam respekt. Me çfarë? Duke qarë dhe duke shpërthyer në revoltë kundër një arbitri në një ndeshje që s’ka tension? E vret ndeshjen në minutën e 65’, duke dhënë dy kartonë të kuq.

Jemini: Duhet të shoh rastet. Por nga informacionet që kam, më thanë që ishin kartonë të drejtë. E marrim të mirëqenë se nuk kanë qenë. Përsëri, sjellja që ka bërë presidenti, mua më duket gjë e jashtëzakonshme. Të futet presidenti, trajneri dhe staf t’i bëjnë presion trajnerit e ta ofendojnë, është e patolerueshme. Nëse fusha ‘pushtohet’ nga persona të tjerë që i bëjnë presion arbitrit, aty mbaron ndeshja. Nuk ka më futboll.

Kokëdhima: Jemini mirë bën që i thotë mendimet e tij, se s’janë të panjohura për mua këto mendime. Ai duhet të konsiderojë që arbitrat mund të bëjnë gabime, sepse janë njerëz dhe gabime bëjnë të gjithë, por nëse një arbitër komploton dhe kërkon të vendosë rezultatin e ndeshjes, kush duhet të protestojë? Kush ngre zërin ndaj abuzuesve?

Jemini: Duke u futur në fushë dhe duke bërë vetëgjyqësi?

Kokëdhima: Çfarë vetëgjyqësie po thua ti? Unë jam zyrtar i Apolonisë dhe mund të bëj çdo shkelje dhe të marrë masën, çfarë problemi ka?

Jemini: Ju merrni karton të kuq, masë disiplinore vetëm duke shkelur fushën e blertë, e jo më duke u përplasur me arbitrin.

Kokëdhima: Ti do më heqësh mua të drejtën të revoltohem?

Jemini: Padrejtësitë nuk i vendosni ju, por Komisioni i Disiplinës.

Kokëdhima: Komisioni i Disiplinës nuk i gjykon gjyqtarët. Unë kam qenë në atë tip tribune që ka aty…

Jemini: Për arbitrat ka komision të veçantë në FSHF, që merren me çdo veprim të tyre. Dhe ju do futeni në Komision.

Kokëdhima: Ti fshihesh pas gishtit dhe nuk e kam personale me ty, por me të gjithë që janë të një race me ju.

Jemini: Këtë mos ma kërko mua. Flasim për incidentin. Jo për gjëra që nuk kam informacion fare.

Kokëdhima: Ke. Verifikoje publikisht. S’ke parë gjë ti. Nuk e ke parë ndeshjen, por gjykimin e ke, sepse s’ke nevojë të shohësh fakte ti. Mos e merr fare të mirëqenë.

Jemini: Ju nuk keni asnjë të drejtë të futeni në fushë. Kaq e thjeshtë.

Kokëdhima: Unë kam të drejtën time si investitor.

Jemini: Në asnjë mënyrë.

Kokëdhima: Ti do më ndalosh mua të jetoj?

Jemini: Unë të ndaloj që ti të futesh në fushë. Nuk mund të futesh me semafor të kuq.

Kokëdhima: Nuk më ndalon mua të revoltohem. Është liria ime. Unë i marr përsipër pasojat.

Jemini: Nëse merr pasojat, mbaji pra.

Kokëdhima: Dua të jem i sigurt që ti je një person i paanshëm atje.

Sidorela Gjoni: Të rrëmbyen pak emocionet?

Kokëdhima: Unë jam gjithmonë emocional. E jetoj biznesin si dashurinë. Kjo nuk është gjë për t’u kritikuar. Kjo është jeta ime. Unë nuk e pranoj dot përdhunimin nga askush.

Më pas, Kokëdhima vijoi debatin me Jeminin, duke iu drejtuar kështu:

Kokëdhima: Përpara se të vija unë president aty, ju nuk guxonit të vinit, se ju vendosnin koburet në kokë. Unë e kam kthyer Apoloninë një ekip që respekton çdo ekip dhe çdo gjyqtar.

Jemini: Nga momenti që Kokëdhima thotë që mban përgjegjësi për veprimet që ka bërë, këtu mbaron. Unë them që nuk i shkon vetëm për emrin që ka. Imagjino çfarë mund të ndodhë në fushat më të ashpra. Nëse një ndeshje ndërpritet 25 minuta…

Kokëdhima: E di pse u ndërpre?

Jemini: Se nuk ka pasur forca policie.

Kokëdhima: Nuk është e vërtet. Ka pasur forca policie. Arbitri tha se ishte i frikësuar dhe kërkonte forca shtesë. Për çfarë nuk i mjaftonin policët atij?

Jemini: Për sa kohë e keni kërcënuar, atëherë normal që ai do kërkonte forca shtesë.

Kokëdhima: Je i turpshëm. Je një racë me ta. Je i paguar në këto qëndrime. Kur them që këto janë struktura kriminale.

Jemini: Ti nuk mban etikë këtu, e jo më në fushë.

Kokëdhima: Ti je dhunuar në fushë. Të kanë rrahur e më tregon mua.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta