
Pas këtij veprimi, banda i lë afat 24 orë familjes Kuçi për dorëzimin e parave, por sërish, lekët nuk u dorëzuan.
Më 14 gusht, rreth orës 17:00, anëtarët e bandës organizohen në banesën e Ndriçim Sadushit, që ishte edhe baza e grupit.
Të armatosur me automatikë, granata dhe kundërtank, ata u nisën me disa automjete në drejtim të vilës së familjes Kuçi, e cila ndodhet në rrethrrotullimin e Luleve, në fillim të rrugës që të çon për në Fushë Mbret. Sapo mbërritën, pasi rrethuan banesën e Ramadan Kuçit, nisën sulmin me breshëri automatike, granata dhe kundërtank.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 15/08/1997, rezulton se janë përdorur shumë lloje armësh në drejtim të banesës së familjes Kuçi dhe nga drejtime të ndryshme, si dhe kanë marrë pjesë shumë persona në afërsi të kësaj banese. Kjo provohet edhe nga makinat e të pandehurve të lëna në vendngjarje.
“Një pjesë shumë e madhe e njerëzve nuk kanë denoncuar, kanë pasur frikë. Ka pasur denoncim vetëm nga një familje që u sulmua nga banda e Kateshit, por ka shumë biznesmenë që nuk kanë denoncuar”, u shpreh avokati Alban Qafa.
“E kujtoj si një ngjarje ku disa persona të së njëjtës familje u organizuan për të mbrojtur gjithë familjen, për të mbrojtur pasurinë, për të mbrojtur dinjitetin e tyre. Për shkak se këta ishin të sulmuar, padiskutim që ligji i përjashton nga përgjegjësia penale”, u shpreh pedagogu i drejtësisë, Kreshnik Myftari.
Banda nuk e dinte se përballë kishte një ushtarak të trajnuar, i cili organizoi mbrojtjen nga brenda shtëpisë. Kjo ngjarje është tipike e një skenari filmash hollivudian. I fshehur pas dritares së banesës së tij, ky person eliminoi 5 anëtarë të bandës famëkeqe, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
Viktima të asaj ngjarjeje mbetën: Arben Pepalloshi, Arben Jabi, Neritan Haxhiasllani, Dritan Sadushi dhe Besim Erosi – të gjithë anëtarë të bandës së Kateshit. Gjithashtu, në këtë përballje u plagosën Taulant Balliu, Gjergj Dedja dhe vetë Dritan Kateshi.
Top Channel