
Planet për shpopullimin e Gazës thjesht u shtynë, por nuk u rrëzuan krejtësisht, e këtë e dëshmon qartë edhe njoftimi i fundit se qeveria izraelite ka krijuar një institucion të ri, i cili synon sipas saj të nxisë atë që e përshkruan si “largim vullnetar” të palestinezëve nga ky territor drejt vendeve të treta.
Institucioni i ri do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, konfirmoi një zëdhënëse e zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Detyra e tij është të “përgatisë largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës për në vende të treta në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”.
Kabineti i Sigurisë e miratoi propozimin përkatës të Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz. Në një deklaratë të ministrisë theksohet se “ata që dëshirojnë të largohen nga zona e rrethuar bregdetare palestineze në brigjet e Detit Mesdhe duhet t’u mundësohet largimi “në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare si dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump”.
Se cilat janë vende të treta ku mund të shkojnë personat që duan të largohen nuk përmendet. Ndaj këtij njoftimi reagoi menjëherë Jordania, një nga vendet që ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve palestineze, e cila tha se në fakt, këtu bëhet fjalë për dëbim të detyruar.
Së bashku me synimin për t’i kthyer 13 zona të banuara në vendbanimet ekzistuese izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në vendbanime të pavarura, po u hapet rruga “ngulimeve të tjera për kolonë”, thuhet në deklartën e Ministrisë së Jashtme të Jordanisë, ku një plan i tillë përshkruhet si shkelje e hapur së drejtës civile ndërkombëtar.
Organizata të ndryshme joqeveritare e kritikuan këtë plan dhe thanë se njerëzit nuk largohen vullnetarisht nga vendi i tyre. Lëvizja izraelite e paqes Paqe Tani e quajti institucionin e ri për imigracionin si një “njollë të pashlyeshme” për Izraelin.
Top Channel