
Nga Ledion Liço
Adoleshenca, stina më e bukur e jetës” – këndonte Bleona Qerreti në 1996. Adoleshenca e atyre viteve me atë të 30 viteve më pas ka shumë dhe asgjë të përbashkët. Gjenerata Z dhe Alpha jeton në një realitet ku ngatërrohen shpesh fizikja me virtualen për shkak të asaj që interneti, telefonat e zgjuar, rrjetet sociale sollën me vete. Dikur kultet ishin ‘të izoluar’ tashmë përfaqësimi në to vjen kollaj, e ke në duart e çdo njeriu vulnerabël emocionalisht, në përpjekje për të arritur atë për të cilën në ditët e sotme duket si një nga gjërat më të vështira, pranimin.
4 seritë e “Adolesecence” kanë qenë në gojën e të gjithëve në javën e fundit – një serial, i cili theu rekorde shikueshmërie dhe si rrallë herë, shumë rrallë, bëri bashkë kritikët për arritjen e tij dramaturgjike dhe kinematografike duke folur për një temë aktuale globalisht. Një djalë adoleshent vret [dhunshëm] me thikë një vajzë adoleshente për shkak të bullizimit në rrjete sociale [dhe nuk e pranon]. Një [lloj] historie me të cilën fatkeqësisht, veshin e kemi të vrarë dhe zemrën e kemi të plogësht.
Jo më larg se nëntorin e kaluar, rrugët e kryeqytetit u lagën nga gjaku i 14-vjeçarit Martin Cani, sulmuar nga bashkëmoshatarë të tij, një çështje që vazhdon dyerve të gjykatave me seanca që shtyhen dhe dhimbje që nuk shërohet për familjarët. Arsyeja e krimit makabër, shkëmbimet e adoleshentëve në rrjetet sociale.
Histori si kjo e Martinit apo të tjera të ngjashme ka sa të duash në botën e madhe po aq sa të vogël. Smartphonr-ët në duart e adoleshentëve kanë çuar në rritje të rasteve të krimeve mes tyre edhe në vende të zhvilluara perëndimore si Britania e Madhe. Janë këto ngjarje që kanë frymëzuar Jack Thorne dhe Stephen Graham për të shkruar “Adolesecence”, duke ju qasur kësaj teme me një guxim dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm.
Të shtunën e kaluar, ndërsa isha në episodin e radhës të Big Brother, një mesazh nga producenti Besnik Krapi më fton për të parë. Besniku më thoshte se britanikët nuk lodhen me kotësira, shkojnë direkt në thelb ç’ka e bën përvojën e të parit të serialit tronditëse. Të nesërmen u krodha në të.
Në fakt një javë më pas, akoma nuk mendoj se kam mbledhur veten plotësisht nga kjo histori, e shkruar në mënyrë brilante, guximi i regjisorit Philip Barantini për të xhiruar të katër episodet në një plan sekuencë (një xhirim i vazhdueshëm i paprerë), edhe atë ku ka 350 figurantë në shkollën e të akuzuarit për vrasjen, pa hile (them pa hile sepse ka patur dhjetëra seriale apo filma që janë xhiruar ngjashëm por gjithmonë me një kleçkë të vogël montazhi pra jo 100% ‘one shot’), edhe atë ku në dhomë janë vetëm dy aktorë, njëri prej tyre 14-vjeçari Owen Cooper, nuk kishte qenë kurrë në një shesh xhirimi, si edhe bravura e [të gjithë] aktorëve, mbi të gjithë Cooper dhe Graham.
Duke mos dashur të zbuloj shumë për ju që nuk e keni parë ende, historia ka në qendër të tij dramën e familjes Miller kur më i vogli i tyre Jamie, akuzohet për vrasjen e një bashkëmoshatareje, dhe në harkun kohor të katër orëve tregon katër momente në kohë të ndryshme nga katër kënde të ndryshme. Në episodin e parë do të shohim të vërtetën e Policisë, në të dytin atë të bashkëmoshatarëve, në të tretin atë të vetë Jamie-t dhe në të katërtin atë të prindërve, e sidomos të atit.
Në diskutimet e para të skenaristëve me regjisorin u morr vendimi për të xhiruar seritë në një sekuencë të vetme të pandërprerë. Nga pikëpamja teknike dhe stilistike kjo ka sfidat dhe kufizimet e veta. Ato teknike duket sikur janë kaluar, ndërsa vizualisht seriali nuk ka asnjë pretendim për kuadrin, tjetër gjë është e rëndësishme – aktori dhe interpretimi i historisë. Publiku në fakt përfshihet në ngjarje njësoj sikur të përthithej nga një uragan i fuqishëm për 4 orë me radhë shohim performanca të cilat janë afër perfeksionit në televizion prej dekadash. Është njësoj si një shfaqe në teatër të xhirohej nga afër. Barantini do të xhironte 10 herë çdo seri, dy herë në ditë, një sipërmarrje titanike, kur vjen puna për të menaxhuar një sheshxhirim me qindra persona, një kamera që lëviz nga krani, në dorë, në dron, në gimbal, e mbi të gjitha marrjen e emocioneve të cilat janë të lëvizshme si lëkundjet e një tërmeti. Të gjithë duhet të ishin në vendin e duhur dhe gjendjen e duhur për pesë ditë, dy herë në ditë për të katërt seritë. Natyrisht është shkelur njëri sy disa herë, sepse vetëm ata që mund të kuptojnë së brendshmi se çfarë duhet për të realizuar serialin në këtë formë, e dinë që nuk ke pse kthen një xhirim sekuencë nga e para për një fjalë gabim, apo një hapje goje nga lodhja (i ka ndodhur Cooper-it, dhe është ndihmuar nga Erin Doherty që interpreton Briony Ariston, një psikologe e ngarkuar me evaluimin psikologjik të Jamie-t).
Është e rrallë të gjesh dikë që nuk e ka pëlqyer “Adolescence”, qofshin shikues të zakonshëm apo kritikë të filmit e televizionit. Akoma më e rrallë është të gjesh njerëz që nuk janë të pataksur nga interpretimi i 14-vjeçarit Cooper i cili u zgjodh mes 3000 pjesëmarrësve në audicion, la shkollën për t’iu dedikuar totalisht kësaj vepre dhe arrin të xhonglojë nga pikëpamja interpretuese në skena të cilat janë të vështira edhe për profesionistë prej vitesh në filmi dhe teatër. Është një dhunti e veçantë që brenda pak sekondash fytyra e tij e pafajshme të kthehet në një fytyrë të frikshme. Në një intervistë ai ka thënë se ishte aq e vështirë seria e tretë emocionalisht sa e pati shumë të vështirë të largonte negativitetin mbas përfundimit të xhirimeve.
Është gjithaq e rrallë të gjesh një copëz televizioni apo kinemaje që nuk i kushton kohë pyetjes ‘A e bëri?’, por përpiqet të bëjë një diseksion të karaktereve, duke e arritur qëllimin, e duke na e bërë historinë të vështirë për t’u kapërdirë për shkak të kompleksitetit emocional që përfshin palët.
Përtej veprës televizive, Adoleshenca – seriali; është një manual për prindërit e adoleshentëve të cilët shpesh nuk dinë çfarë të bëjnë me fëmijët e tyre, së cilëve nuk i kuptojnë as gjuhën apo referencat. Seriali shpjegon qartë referencat bullizuese në gjuhën e të rinjve sot, kuptimin e emotikonëve sipas tyre dhe komunikimi që ndodh në rrjete si Snapchat, TikTok apo Instagram. Po ashtu, tregon për erozionin e vlerave në institucionet arsimore publike – të cilat në episodin e dytë – tregohen parë nga sytë e adoleshentëve, një gjendje që nuk të jep fort shpresë. Edhe sikur prindërit të bënin maksimumin në shtëpi – në shkollë apo në shoqëri çfarë ndodh?
Vende si Britania e Madhe kanë ngritur peticione (një pjesë e të cilave kanë funksionuar) si ndalimi i telefonave në shkolla. Po ashtu prindër dhe adoleshentë të shteteve europiane janë të mendimit që mosha kur një adoleshent duhet të marrë një telefon të zgjuar është pas të 14-ave dhe të hapë rrjete sociale pas moshës 16 vjeç. Nëse duhet t’i jepni se s’bën një telefon djalit apo vajzës – ka telefona jo smart. Një rekomandim tjetër është të mos lini adoleshentët në telefon në dhomën e tyre të gjumit – mesa duket aty ndodhin gjëra që janë jashtë kontrollit tuaj.
Thelbi është që janë rrjetet sociale të cilat sipas të gjitha studimeve dhe sondazheve kanë rritur bullizimin, dhunën dhe mizogjeninë te brezat e rinj, kanë kontribuar në një shkëputje të tyre nga realiteti duke mos ndarë dot të mirën nga e keqja duke rritur një gjeneratë të tërë në ankth dhe depresion akut.
Shkëputja e Jamiet nga realiteti lexohet qartë qysh në serinë parë, duke më kujtuar rastin e tmerrshëm të Denis Prekës kur bashkëmoshatarë tij xhironin agoninë e tij, çaste para vdekjes, duke u tallur në Snapchat, mbasi e kishin droguar.
Në një takim rastësor para dy vitesh me një çift amerikan ndërsa ishim duke darkuar, duke folur për fëmijët, nuk do të harroj kurrë një fjali:
“Fëmijë të vegjël, probleme të vogla”
Seria e fundit e “Adolescence” është një testament i asaj që vjen mbas një drame të tillë për dy prindër në dialogë të cilat të rrëqethin, për sa kohë si prindër, herët a vonë do na duhet të bëjmë paqe me faktin se fëmijët tanë, engjëjt tanë, nuk janë më të pafajshëm.
Top Channel