
Kanë nisur në Riad të Arabisë Saudite negociatat mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë me qëllim arritjen e një armëpushimi të pjesshëm në Ukrainë.
Bisedimet vijnë një ditë pas atyre mes delegatëve nga Uashingtoni dhe Kievi, të cilësuara konstruktive nga ana e ukrainasve. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërkuar një fund të shpejtë të luftës trevjeçare dhe shpreson që bisedimet në Riad t’i japin një shtysë të fortë në këtë drejtim. Të dyja palët kanë propozuar plane të ndryshme për armëpushim të përkohshëm, por sulmet ndërkufitare ndërkohë kanë vazhduar të pandërprera.
Pas takimit të mbrëmshëm me palën amerikane, ministri i mbrojtjes Rustem Umerov foli për një “Diskutimi produktiv dhe të fokusuar ne trajtimin e pikave kyçe duke përfshirë energjinë. Sipas tij, Ukraina po punonte për ta bërë realitet qëllimin e saj për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
I dërguari i Trump, Steve Witkoff shprehu optimizëm se çdo marrëveshje e arritur do të hapte rrugën për një armëpushim “të plotë”.
“Unë mendoj se ju do të shihni në Arabinë Saudite të hënën një përparim të vërtetë, do të nisë me një armëpushim në Detin e Zi midis të dy vendeve, duke lejuar lëvizjen e anijeve. Dhe pas kësaj do të shkohet drejt një armëpushimi të plotë”, shprehet Dunel Witkoff.
Por Kremlini të dielën minimizoi pritjet për një zgjidhje të shpejtë. “Ne jemi vetëm në fillim të kësaj rruge,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për televizionin shtetëror rus. Presidenti rus Vladimir Putin po ashtu ka refuzuar një thirrje të përbashkët SHBA-Ukrainë për një pauzë të plotë dhe të menjëhershme 30-ditore, duke propozuar në vend të kësaj një ndalesë të sulmeve vetëm ndaj objekteve energjetike.
Peskov tha se fokusi “kryesor” në bisedimet e tij me Shtetet e Bashkuara do të ishte një rifillim i mundshëm i një marrëveshjeje të drithit të Detit të Zi të vitit 2022, që siguronte lundrim të sigurt për eksportet e fermave ukrainase përmes Detit të Zi.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha më parë AFP se Kievi do të propozonte një armëpushim më të gjerë, duke mbuluar sulmet ndaj objekteve energjetike, infrastrukturës dhe sulmeve detare. Por edhe gjatë negociatave të mbrëmshme, ashtu edhe sot, si rusët ashtu edhe ukrainasit nuk i ndalën sulmet me dronë.
Top Channel