Protestat në Turqi pas ndalimit të kryebashkiakut të Stambollit, policia arreston 1133 persona për një javë

24/03/2025 12:22

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka deklaruar se gjithsej 1,133 persona janë ndaluar që nga fillimi i protestave javën e kaluar.

“Terrorizimi në rrugë tona dhe kërcënimi ndaj paqes dhe sigurisë së kombit tonë absolutisht nuk do të tolerohet,” shkruan ai në një postim të gjatë.

Dhjetëra mijëra protestues kanë marrë pjesë në demonstrata në mbarë Turqinë pasi rivali kryesor i Presidentit Recep Tayyip Erdogan u ndalua.

Ekrem Imamoglu, kryetari i bashkisë së Stambollit, ishte një nga më shumë se 100 personat e ndaluar javën e kaluar në kuadër të një hetimi, së bashku me politikanë të tjerë, gazetarë dhe biznesmenë. Ai u arrestua dhe u akuzua zyrtarisht për korrupsion, një akuzë që e ka përshkruar si të motivuar politikisht – diçka që Erdogan e mohon.

Arrestimi i tij ndodhi vetëm pak pasi ai u konfirmua gjatë fundjavës si kandidati presidencial i Partisë Popullore Republikane (CHP) për zgjedhjet e ardhshme të mëdha të vendit, të planifikuara për vitin 2028.

Si përgjigje ndaj arrestimit, mbrëmë shpërthyen trazirat më të mëdha që vendi ka parë në më shumë se një dekadë, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve.
Që nga e mërkura, kur Imamoglu u ndalua, shumë qytetarë kanë dalë në rrugë në protesta kryesisht paqësore në të gjithë Turqinë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta