
Sulmet ruse vranë dy persona të premten vonë në qytetin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia dhe tre të tjerë në veri dhe lindje të vendit, sipas zyrtarëve ukrainas.
Guvernatori rajonal i Zaporizhia, duke shkruar në aplikacionin e mesazheve “Telegram”, deklaroi se qyteti ishte goditur më shumë se 10 herë, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke plagosur nëntë.
Në rajonin Somi, në kufirin verior të Ukrainës me Rusinë, prokurorët thanë se forcat ruse hodhën të paktën gjashtë bomba, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur të paktën dy.
Ndërsa në rajonin lindor të Donjeckut, pika kyçe e avancimit të Rusisë drejt perëndimit, prokurorët thanë se forcat ruse kishin hedhur tre bomba, afër vijës së frontit, duke vrarë një person.
Në qytetin jugor të Rusisë, Rostov, guvernatori rajonal tha se një dron ukrainas goditi një ndërtesë apartamentesh në katin e 17-të, duke plagosur dy persona. Mbrojtja ajrore shkatërroi një numër të dronëve, shkroi ai në Telegram.
Kremlini ka njoftuar këtë javë se presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord në një telefonatë me homologun e tij amerikan Donald Trump për të respektuar armëpushimin 30-ditor në infrastrukturën e energjisë.
Kjo marrëveshje nuk ishte e gjerë siç kishte kërkuar SHBA-ja, për një armëpushim të plotë 30-ditor. Bisedimet për arritjen e një armëpushimi janë planifikuar për javën e ardhshme në Arabinë Saudite.
Top Channel