Lufta në Ukrainë, i dërguari i Trump: Kievi ka pranuar të mbajë zgjedhje presidenciale

22/03/2025 23:30

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, pretendon se Kievi ka pranuar të mbajë zgjedhje presidenciale në Ukrainë, pa dhënë detaje të tjera.

Në një intervistë për Fox News, Witkoff tha se “do të ketë zgjedhje në Ukrainë”, duke shtuar se udhëheqësit e vendit të shkatërruar nga lufta “u pajtuan me të”.

Administrata Trump ka rritur presionin për të detyruar Ukrainën të mbajë zgjedhje gjatë kohës së luftës, diçka që kushtetuta e vendit e ndalon.

Kujtojmë se Donald Trump e kishte përshkruar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një “diktator pa zgjedhje”.

“Nëse do të ketë një marrëveshje paqeje, Ukraina nuk mund të jetë anëtare e NATO-s. Unë mendoj se kjo është gjerësisht e pranueshme”, tha Witkoff.

Por i dërguari i SHBA-së sugjeroi se Ukraina mund të përfitonte ende nga garancitë e ngjashme të sigurisë që u ofrohen shteteve të NATO-s sipas klauzolës së mbrojtjes kolektive të nenit 5 të aleancës, sipas së cilës anëtarët e saj janë të detyruar të ofrojnë ndihmë për njëri-tjetrin nëse njëri prej tyre sulmohet.

“Unë mendoj se kjo është e hapur për diskutim”, tha Witkoff, pa dhënë detaje.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta