Izraeli hakmerret ndaj Hezbollahut, sulmi më i madh që nga marrëveshja e armëpushimit

22/03/2025 17:55

Izraeli ka goditur caqe në Liban më 22 mars, në kundërpërgjigje ndaj raketave që shënjestruan Izraelin. Ky është këmbimi më i madh i zjarrit që nga marrëveshja e armëpushimit.

Më herët u gjuajtën raketa nga Libani në Izrael. Kjo ishte hera e dytë që nga dhjetori që kishte sulme nga Libani, duke nxitur shqetësime lidhur me atë se a do të respektohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai urdhëroi ushtrinë që të vepronte me forcë kundër dhjetëra caqeve në Liban.

“Izraeli nuk do të lejojë që qytetarët e saj të rrezikohen e as sovraniteti i tij”, u tha në njoftim.

Ushtria izraelite, ndërkaq njoftoi se ka kryer sulme ndaj caqeve të Hezbollahut në jug të Libanit dhe ka goditur dhjetëra raketahedhës të grupit dhe një qendër komanduese nga ku Hezbollahu po operonte.

Hezbollahu kishte nisur të gjuajte raketa e dronë në Izrael kur Hamasi -grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor 2023 kreu sulm në Izrael, gjë që nxiti luftën në Gazë.

Konflikti Izrael-Hezbollah u përshkallëzua në luftë të plotë në shtator, teksa Izraeli kreu sulme masive ajrore dhe vrau shumicën e udhëheqësve të lartë të grupit libanez.

Luftimet vranë më shumë se 4.000 persona në Liban dhe zhvendosën afër 60.000 izraelitë. Luftimet u ndërprenë pasi palët arritën një marrëveshje armëpushimi dhjetorin e vitit të kaluar.

Sipas marrëveshjes, forcat izraelite do të duhej të tërhiqeshin nga i mbarë territori libanez deri në fund të janarit. Por, ky afat u shty deri më 18 shkurt, pas një marrëveshjeje të arritur mes Libanit dhe Izraelit.

Por, që atëherë Izraeli ka vazhduar të qëndrojë në pesë lokacione në Liban, përgjatë komuniteteve në veri të Izraelit dhe ka kryer dhjetëra sulme ajrore në jug dhe lindje të Libanit, duke thënë se po shënjestron Hezbollahun.

Libani ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Izraelit që të tërhiqet plotësisht nga shteti.

Një zyrtar i Hezbollahut tha të shtunën për Associated Press se grupi nuk ishte përgjegjës për sulmin.

Ndërkaq, përmes një deklarate kryeministri libanez, Nawaf Salam, i kërkoi ushtrisë të vendit të tij që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në jug, por tha se shteti nuk dëshiron që lufta të rikthehet.

Forcat e Përkohshme të OKB-së në Liban, të njohura me shkurtesën, UNIFIL, thanë se janë alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i dhunës dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që të shmangin rrezikimin e përparimit të bërë, duke shtuar se përshkallëzimi i mëtejmë do të ketë pasoja për mbarë rajonin./ REL

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta