
Me moderimin e Romina Kukos, në Tiranë është zhvilluar mbledhja e Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste.
Me përfaqësuesit e lartë të Internacionales Socialiste dhe partive simotra europiane, kryesocialisti Edi Rama e vendosi theksin në vizionin Partia Socialiste e Shqipërisë 2030.
“Ne jemi shumë të bekuar që kemi lindur në zemër të Evropës, por në të njëjtën kohë kemi qenë të izoluar dhe shkëputur për një kohë të gjatë. Është koha jonë, shansi dhe momenti ynë. Mundësia e madhe për të përfunduar këtë punë dhe nxjerrë maksimumin e këtij shansi të jashtëzakonshëm që na paraqitet si mundësi mjaft faktike për të qenë pjesë e BE. Që kur dolëm nga makthi i diktaturës komuniste, kjo është hera e parë që shohim një mundësi reale për t’u bashkuar me BE dhe që është tani”, tha Rama.
“Yjet tanë”, deklaroi kryesocialisti Edi Rama “dhe të BE-së, janë në drejtimin e duhur”.
“Ne kemi qenë shumë pas me integrimin kur erdhëm në pushtet. Serbia i nisi negociatat kohë më parë, sapo i kemi nisur vitin e kaluar. Por ajo që kemi bërë pasi jemi refuzuar tre herë për shkak të një vendi apo dy. Kemi një objektiv mjaft ambicioz për të mbyllur negociatat në 2027. Ajo çfarë shoh është se mund të hyjmë në BE tani, për të mos humbur asnjë sekondë të vetme në këtë proces që është mjaft i vështirë me shumë detyra shtëpie”, shtoi ai.
Kemi bërë diçka mjaft të dobishme theksoi Edi Rama duke përfituar nga të rejat e mëdha të teknologjisë dhe me ardhjen në jetë e ChatGPT.
Ndërkohë, kreu i qeverisë u ndal edhe te drejtësia kur “kemi pastruar sistemin e drejtësisë përmes Vetingut”.
Fjala e plotë e Ramës:
Është kënaqësi që kam këtë mundësi për t’iu uruar mirëseardhjen dhe për të përshëndetur gjithsecilin prej jush në këtë moment që keni ardhur në tiranë, kur jemi shumë krenar të organizojmë këtë takim. Do të doja shumë që në të njëjtën kohë ju të shihnit dhe qytetin dhe jo vetëm debatin. Tirana ka bërë një rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku është sot. Është mjaft e gjallë dhe një kryeqytet që ndryshon dita ditës dhe po bëhet një medaljon krenarie për të gjithë ne.
Që themi jam nga Tirana, jetoj në Tiranë, punoj në Tiranë dhe mik pres miq në Tiranë. Nga ana tjetër siç mund ta dini shumë mirë tashmë jemi në fund të mandatit të tretë të qeverisë sonë progresive dhe presim me padurim një fushatë mjaft tërheqëse zgjedhore për të marrë mandatin e katërt dhe për të përmbushur misionin që kemi marrë me shumë seriozitet që nga dita e parë për ta çuar Shqipërinë që nga dita e parë e për ti dhënë fund më së fundi një historie të gjatë marxhinalizimi, diskriminimi dhe gjithçkaje tjetër që mund të shtoni vet.
Jemi bekuar që kemi lindur në zemër të Europës por po kështu në të njëjtën kohë kemi qenë të mallkuar sepse kemi qenë të izoluar dhe të shkëputur nga Europa dhe rrugëtimi drejt Europës në një kohë kaq të gjatë. Është koha jonë tashmë, është momenti ynë, është shansi ynë, është mundësia jonë e madhe për ta përfunduar këtë punë dhe për të nxjerrë maksimumin e këtij shansi të jashtëzakonshëm që na paraqitet si një mundësi mjaft faktike për tu bërë pjesë e BE. Që kur dolëm nga makthi i diktaturës komuniste kjo është hera e parë që e shohim një mundësie reale për tu bashkuar me BE dhe që është tani, yjet janë në drejtimin e duhur. Yjet tanë, yjet e BE. Ndoshta jo për të njëjtat arsye por çka është e rëndësishme yjet janë të radhitura si duhet dhe ne mund të hedhim hapin.
Sa për t’ju dhënë një ide për atë që po flas, mbani parasysh që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duan të bashkohen me Bashkimin Europian. Ne kemi qenë shumë pas dhe kur erdhëm në pushtet na u tha që pararojë ishin Serbia dhe Mali i Zi. Ata i nisën negociatat kohë më parë. Mali i Zi i nisi negociatat në 2012, Serbia në 2014, ndërkohë që ne sapo i kemi nisur vitin e kaluar. Por ajo çfarë kemi bërë pasi jemi refuzuar, nuk e di ndoshta tre herë njëra pas tjetrës nga Këshilli Europian për shkak të një vendi, a maksimumi dy vende që i vinin veto rekomandimit të propozuar të Komisionit Europian për të nisur negociatat. Kemi nisur të punojmë qysh kur kanë nisur negociatat, pra kemi punuar fort ndërkohë që prisnim që negociatat të ecnin përpara. Pra edhe pse kemi nisur negociatat vitin e kaluar vetëm kemi një kuadër mjaft ambicioz dhe një objektiv mjaft ambicioz për të cilin kemi rënë dakord në Komisonin Europian për të përmbyllur negociatat në 2027. Mua nuk më pëlqen kjo fjala pararojë, nuk më pëlqente as kur nuk ishim një prej tyre, nuk më pëlqen as tani që jemi një prej tyre sepse kjo mund të ndryshojë, por ajo çfarë shoh është që mund të hyjmë në BE tani dhe duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për të mos humbur as edhe një sekondë të vetme në këtë proces që është mjaft i ndërlikuar, mjaft i vështirë me shumë detyra shtëpie.
Kemi bërë diçka mjaft të dobishme. Kemi përfituar nga të rejat e mëdha të teknologjisë me inteligjencën artificiale që po shpërthen dhe me ardhjen në jetë të ChatGPT së bashku me Mira Muratin një prej bashkëthemeluesve të OpenAL e cila është shqiptare dhe kemi nderuar një ekip dhe praktikisht kemi krijuar një model të suksesshëm të inteligjencës artificiale për negociatat që po na ndihmon në mënyrë të jashtëzakonshme për të transferuar korpusin ligjor të BE në korpusin tonë ligjor në vend që të merrnim një ushtri përkthyesish e hartuesish paraprakë. Kështu që kjo është diçka që ka qenë shumë e dobishme dhe mjaft dobi ka qenë dhe fakti që në mënyrë mjaft të vendosur po luftojmë kundër të gjitha shanseve kur vjen fjala për sundimin e ligjit, për barazinë përpara ligjit me reformën tonë në drejtësi. Është shumë e dhimbshme. Për herë të parë në historinë tonë të shtetit prej 1912 kur shpallëm pavarësinë, po shohim njerëz të fuqishëm të lidhur me pushtetin politik, që janë në qeveri a në opozitë që japin llogari përpara gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur.
Sigurisht nuk mund tua u fsheh që nga pikëpamja njerëzore nuk është gjëja më e mirë të shohësh njerëz të cilët i njeh prej një kohe të gjatë që çohen përpara drejtësisë për tu përgjigjur për gjëra të ndryshme dhe duke qenë se janë të pafajshëm derisa të provohen fajtorë këto janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Por ajo çka është krejt e re në Shqipëri dhe është mjaft revolucionare do të thoja, dhe jo vetëm në Shqipëri, është nga njëra anë, kemi pastruar masivisht procesin e drejtësisë përmes një procesi verifikimi dhe nga ana tjetër praktikisht ia kemi kaluar shpatën e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, nuk ka qenë kështu vetëm pak vite më parë. Dhe natyrisht që kjo po ndihmon shumë, s’ka aspak dyshim sic po ndihmon edhe fakti që ne po rritemi në mënyrë të qëndrueshme. Kur erdhëm në pushtet, PPB jonë ishte më pak se 10 miliardë euro, vitin e kaluar patëm të paktën 25 miliardë euro. 2.5 herë më shumë. E njëjta gjë vlen për të ardhurat për frymë që janë rritur tre herë më shumë dhe turizmi që është një gjë që e dua kaq shumë, që nuk na duhet që ta tregojmë Shqipërinë si destinacion turistik, e di e kemi nisur me më pak se një milionë turistë dhe tashmë vitin e kaluar e kemi mbyllur me 12 milionë.
Kemi aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë dhe kemi aeroportin më të madh në rajon, kemi kaluar Beogradin i cili historikisht ka qenë aeroporti rajonal. Dhe tashmë kemi edhe numrin më të madh të udhëtarëve në Tiranë.
Kështu që këto janë gjëra mjaft të mira, sigurisht nuk janë mjaftueshëm, prandaj na duhet të ecim përpara. Janë arritje që duhen marrë si arsye për të ndenjur rehat, por i konsiderojmë natyrisht këto arritje si një motivim shumë i madh si një provë që mund t’ia dalim të përmirësohemi gjithmonë e më shumë. Kështu që kjo është ajo ç’ka po përpiqemi të bëjmë dhe çfarë do të bëjmë. Kur vjen fjala për panoramën më të gjerë jam plotësisht dakord me atë që Pedro tha në mesazhin e tij mjaft të shkurtër, por plot me mendim. Si përherë jemi shumë të prirur që të kontribuojmë në familjen e Internacionales Socialiste, të bëjmë gjithçka mundemi, por sërish këmbëngul në idenë time fikse që të gjithë duhet të investojmë në shkolla politike, duhet të investojmë të gjithë në një rrjet akademish politike, duhet të ndihmojmë brezin e ri të kuptojë që politika nuk është e keqja, në të kundërt politika është një instrument që njerëzimi nuk mund të përballojë ta humbë, në të kundërt do të shkojmë drejt një jetë mjaft të egër.
E pyes gjithmonë veten se si ndodh që ka shumë para janë shpenzuar për të nxitur e zhvilluar shoqërinë civile, që është një gjë e mirë. Të gjitha llojet e organizatave të mundshme përmes vendimmarrjes politike dhe ndërkohë asnjë vendim politik nuk është marrë ndonjëherë për të financuar edukimin politik, për të ndihmuar të rinjtë që duan të merren me politikë, të kuptojnë çfarë është politika dhe të kuptojnë edhe të gjitha këndet e saj sepse politika lindi për t’i bërë njerëzit të bëjnë së bashku atë çka nuk bëjnë dot të vetëm. Pa politikë, njerëzit nuk mund të bashkëveprojnë e nuk mund të bëjnë asgjë së bashku, përveçse të luftojnë e të vrasin njëri-tjetrin.
Sigurisht, politika ka bërë shumë gjëra të tmerrshme dhe është e aftë të bëjë gjëra të tmerrshme, por nga ana tjetër, pa politikën nuk do të kishim Internacionalen Socialiste, nuk do të kishim Bashkimin Europian, nuk do të kishim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të kishim demokracinë. Nuk do të kemi të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, nuk do të kishim shtetin e mirëqenies sociale, nuk do të kishim asgjë. Fakti pra që ne nuk po edukojmë askund të rinjtë me politikën, por po ju japim shumë instrumente të tjera e shumë dije të tjera që janë të rëndësishme, patjetër, por nuk po ju japim dijen se si të mblidhen bashkë dhe të përmirësojnë jetën.
Ajo çfarë po ndodh me median sociale është një shkatërrim i shumë gjërave dhe mes tyre shkatërrimi i idesë së politikës. Jetojmë tani në një moment në kohë ku kemi parë që anti politika nuk mund të bëjë shumë. Kemi parë që ato që formohen nga urrejtja, nga tërbimi, nga cinizmi, nga nihilizmi, kur kanë patur mundësi si parti që të vijnë në pushtet kanë bërë gjëra shumë të këqija, pra është një pikëpyetje shumë e madhe kush dhe si do ta ndryshojë këtë gjë sa i takon edukimit të brezit të ri me idenë e politikës. Dhe pastaj të rinjtë mund të zgjedhin të djathtën, të majtën apo qendrën apo kudo, apo mund të zgjedhin Partinë Socialiste të Shqipërisë fituese.
Kështu që, faleminderit shumë!
Ju uroj, por që Romina dhe të tjerët të kujdesen mirë për ju dhe do t’ju kërkoja leje që tju lë në diskutimet më të thelluara intelektuale, ndërkohë që mua më duhet të merrem me atë punën e vogël për të folur me njerëzit jashtë këtyre mureve.
Top Channel