
Kreu i PD, Sali Berisha shpalosi këtë të premte Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Kulturën.
Ai u shpreh se PD do të mbidyfishojë buxhetin për kulturën dhe artin dhe do të ristrukturojë Ministrinë e Kulturës.
Artisët, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës, sipas Berishës, do të kenë status ligjor të veçantë.
Berisha: Pra, në çdo rrafsh, ky është njëlloj Neroni për kulturën shqiptare. Nuk ka më jetë kulturore në qytet. Në këtë qytet, janë vetëm agresioni hipersonik që u bëhet qytetarëve me diskoteka dhe ato mbushin të gjithë jetën artistike. Ky vend është vend shumë i çuditshëm. Duke qenë briri më perëndimor i gadishullit, të gjitha perandoritë e kanë lakmuar, e kanë pushtuar, kanë kaluar nëpër të, kanë lënë gjurmë. Kjo ka bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet më të pasura në trashëgimi kulturore. Trashëgimi të veten, por edhe trashëgimi të perandorive, të qytetërimeve të tjera.
Tani janë vërsulur edhe ndaj tyre. Janë vërsulur ndaj Butrintit, janë vërsulur ndaj Bylisit, ndaj trashëgimive të tjera të çmuara dhe krahas tyre, ndaj mrekullive natyrore të këtij vendi. Pra, në qoftë se ka një gjë që kërcënohet në mënyrën më të fuqishme, është trashëgimia jonë kulturore. Arritjet më të mëdha në këtë fushë ishin pranimi i disa prej këtyre kryeveprave në regjistrin e trashëgimive të njerëzimit.
Edhe ato trajtohen në kundërshtim me standardet e caktuara nga UNESCO për raste të tilla.
PD konsideron emergjente këtë situatë dramatike në fushën e kulturës dhe arteve ndaj dhe garanton qytetarët shqiptarë, shkrimtarët, artistët, skulptorët, piktorët dhe të gjithë personalitetet e kulturës dhe artit se një ndryshim rrënjësor në vitin e parë të qeverisjes së saj do ndodhë në qëndrimin e shtetit dhe qeverisë ndaj arteve dhe kulturës.
Kultura është për ne çështje e identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, gjallërimi dhe rikthimi në aktivitet i të gjitha institucioneve të kulturës në Tiranë dhe rrethe mbetet një përparësi absolute. Përcaktimi i një statusi ligjor të veçantë për artistët, shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës është një zotim tjetër i yni.
Mbidyfishimi i buxhetit për kulturën dhe artin dhe ristrukturimi i plotë i Ministrisë së Kulturës në funksion të degëve të artit dhe kulturës, mbrojtjes dhe zhvillimit të tyre, janë objektivat tanë të pandryshueshëm. Miratimi i ligjit të sponsorizimit të artit dhe kulturës në mënyrë transparente nga bizneset është një tjetër zotimi i yni. Ne do nxisim bizneset dhe biznesmenët të sponsorizojnë me transparencë duke ulur në proporcion taksat që i paguajnë shtetit. Bonuse për artin këto.
Duhet transparencë. Artistët janë njerëzit më të ndjeshëm. Janë grindës të përjetshëm me pushtetin. Ne do bëjmë çdo gjë që ata të mbetën të tillë, se ndryshe ata nuk i shërbejnë dot interesit publik. Por misioni i tyre është interesi publik, ndaj dhe janë aset i paçmuar i shoqërisë dhe popullit.
Top Channel