Dalin shifrat, rreth 30 miliardë euro të aseteve ruse janë ngrirë nga Britania që nga fillimi i luftës në Ukrainë

21/03/2025 23:38

Asetet ruse me vlerë gati 25 miliardë paund (29.8 miliardë euro) janë ngrirë nga qeveria britanike që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022, sipas shifrave zyrtare të publikuara sot.

“Në bashkëpunim me aleatët e saj, Britania e Madhe ka vendosur sanksionet më të ashpra që Rusia ka parë ndonjëherë”, duhej nw njw deklaratw nga Thesari i Mbretërisë së Bashkuar.

Këto sanksione “patën një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Rusisë, duke e privuar atë nga më shumë se 400 miliardë dollarë (369.2 miliardë euro) që nga shkurti 2022, një shumë e barabartë me katër vjet shpenzime ushtarake ruse”, shkroi Ministria e Financave.

Sanksionet kanë “dobësuar” situatën ekonomike të Rusisë, vazhdon ministria, duke përmendur “zhvlerësimin e fortë të rublës apo edhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar” në vend.

“Pas sanksioneve britanike, ushtria ruse u detyrua t’u drejtohej shteteve mashtruese si Koreja e Veriut dhe Irani për furnizime thelbësore”, theksoi ministria.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe deri në mars 2024, 2001 individë dhe subjekte të lidhura me Rusinë janë shënjestruar nga sanksionet britanike.

“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë me vendosmëri sanksionet tona ekonomike në përgjigje të pushtimit barbar të Rusisë në Ukrainë”, tha Sekretarja e Thesarit Emma Reynolds.

Në përvjetorin e tretë të pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt, qeveria britanike njoftoi më shumë se 100 sanksione të reja kundër individëve dhe subjekteve në Rusi dhe vende të tjera, përfshirë Kinën dhe Korenë e Veriut, të akuzuar se “vazhdojnë të mbështesin pushtimin rus” të Ukrainës.

Ndërsa individët e lidhur me regjimin e presidentit rus Vladimir Putin u bllokuan nga aksesi në paratë dhe asetet e tyre për shkak të sanksioneve, Britania dhe aleatët e saj nuk morën kontrollin e këtyre aseteve. Deputetët britanikë kanë bërë thirrje për sekuestrimin e aseteve të ngrira ruse, pa marrë mbështetjen e qeverisë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta