Zelensky përgënjeshtron Trump: Nuk diskutuam për centralet bërthamore gjatë telefonatës

20/03/2025 17:29

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ai nuk diskutoi pronësinë e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia me homologun e tij amerikan Donald Trump.

Pasi Trump pati atë që ai e quajti një telefonatë “shumë të mirë” me Zelensky të mërkurën, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan kishte sjellë në shqyrtim termocentralet bërthamore të Ukrainës dhe i tha Zelenskit se “pronësia amerikane e atyre centraleve do të ishte mbrojtja më e mirë për atë infrastrukturë dhe mbështetja për infrastrukturën energjetike të Ukrainës”.

Por duke folur në një konferencë shtypi në Norvegji sot, Zelensky mohoi se ai kishte diskutuar pronësinë e SHBA-së mbi termocentralet bërthamore të Ukrainës.

“Për sa i përket pronësisë, ne definitivisht nuk e diskutuam këtë me Presidentin Trump”, tha Zelensky.

I pyetur për ZNPP, i cili aktualisht është i pushtuar nga trupat ruse, Zelensky theksoi se “e gjithë energjia bërthamore i përket shtetit ukrainas, duke përfshirë rajonin e Zaporizhzhias të pushtuar përkohësisht”.

Kompanitë private zotërojnë pjesë të tjera të sektorit energjetik të Ukrainës, siç janë termocentralet, por Zelensky tha se centralet bërthamore duhet të mbeten nën kontrollin e shtetit.

“Unë thashë nëse nuk është ukrainas, nuk do të funksionojë për askënd”, shtoi ai.

ZNPP ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi 2022, por operohet kryesisht nga stafi ukrainas, i cili fillimisht u detyrua të punonte nën kërcënimin e armëve, sipas zyrtarëve ukrainas.

“Personeli që punon atje tani është personeli që është paguar nga shteti i Ukrainës dhe ata janë qytetarë të Ukrainës. Po, menaxhimi i tyre ka ndryshuar”, tha Zelensky, duke iu referuar rusëve që mbikëqyrin stafin e uzinës.

Zelensky gjithashtu u tha gazetarëve se ai dhe Trump nuk diskutuan çështjen e Krimesë nga Rusia.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta