
Për herë të parë, gara për karrigen e deputetit pritet të ndikohet fort edhe nga diaspora, e cila do të votojë për herë të parë nga vendi ku ndodhen.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, këtë vit do të mund të votojnë me poste elektronike rreth 246 mijë votues nga diaspora. Vota e tyre do të kushtojë 7.5 milionë euro dhe do t’i shtohet votës së rezidentëve në Shqipëri. Kjo risi thuajse ka dyfishuar faturën e zgjedhjeve, e cila kalon 20 milionë euro.
Pavarësisht dakordësisë për votën e diasporës, çuditërisht nuk janë përmbyllur ende të gjitha aktet nënligjore që do të duhej të ishin miratuar më 15 nëntor 2024.
“Duke pasur parasysh faktin që komisioni rregullator nuk po vepron dhe mund të jetë nën ndikimin e ndonjë force politike, patjetër që mund të ketë ndikim dhe të zhbëjë të gjithë procesin”, u shpreh Antuela Malaj, eksperte e KRIIK.
“Politikisht problemi është zgjidhur, partitë politike kanë rënë dakord se si do të administrohet. Vota do të vijë në doganë, do të shkojnë përfaqësues të partive politike, me KQZ do të shoqërohen nga policia dhe do të vijnë në KQZ. S’ka sesi të ndodhë ndryshe që komisioni të mos bjerë dakord për arsye dhe ngasje politike, për mua nuk ka për të pasur ngërçe të tilla”, u shpreh Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ.
Sipas një projeksioni hipotetik të KRIIK Albania, një organizatë që monitoron proceset zgjedhore, vota e diasporës mund të çojë në parlament 21 deputetë. Projeksioni iu referohet numrit të votave që kanë përcaktuar një deputet në zgjedhjet e vitit 2021.
“Palët premtuan se do të ketë përfaqësues, por ne nuk lejuam grupime të diasporës që të regjistrohen në zgjedhje dhe nuk lejuam që degët e diasporës të partive të përfaqësohen në listat elektorale të partive politike. Ne u kemi krijuar mundësinë diasporës që të japin kontributin e tyre me votë, por nuk u kemi krijuar asnjë mundësi që ata të jenë të përfaqësuar”, u shpreh Afrim Krasniqi, Dr. në Institutin e Studimeve Politike.
Top Channel