
Sipas të dhënave të Komisionit qendror të zgjedhjeve rreth 75 mijë votues nga diaspora do të votojnë për qarkun e Tiranës; në Fier janë regjistruar rreth 50 mijë votues, në Elbasan 40 mijë dhe në Durrës rreth 39 mijë.
Të dhënat tregojnë se vota e tyre mund të ndikojë fort në ndarjen e mandateve.
‘Janë 20-21 mandate që përcaktohen nga diaspora. Kryeson Tirana me 4 mandate nga disapora, Vlora, Durrësi dhe Elbasani me nga dy mandate ndërsa Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra nga përllogaritja nuk mund të përcaktojnë një mandat’ u shpreh Antuela Malaj, eksperte KRIIK.
Pikërisht për shkak të peshës së madhe që sjell kjo votë, liderët e partive kryesore nisën një tur takimesh me diasporën disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit.
‘Kemi parë në masë përfaqësues të partive politike, përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, ministra, drejtorë, kryetar bashkie të cilët kanë shkuar në diasporë dhe kanë ndihmuar për tu regjistruar në platformë, kjo ndihmë nuk ka qenë aq naive sepse është fillimi i një procesi influence’ u shpreh Antuela Malaj, eksperte KRIIK.
‘Nëse shohim regjistrimet në KQZ gjatë fundjavës kërkesat shumëfishoheshin sepse gjatë fundjavës përfaqësuesit politikë ishin në diasporë për të asistuar dhe ndihmuar qytetarët për tu regjistruar në platformë’ u shpreh Antuela Malaj, eksperte KRIIK.
A ekziston rreziku, që diaspora, të shohë një realitet të deformuar të Shqipërisë dhe si pasojë vota e saj të mos korrespondojë me votën, nëse ato do të jetonin vërtetë në Shqipëri?
‘Ky është një paradoks i madh. Shqiptarët në Diasporë kanë ikur gjatë tranzicionit për dy arsye, kanë qenë të pakënaqur me sistemin politik dhe me qeverisjen e djathtë apo të majtë dhe është e habitshme që njerëzit që kanë ikur nga sistemi tani duhet të zgjedhin përsëri sistemin dhe ofertat e sistemit’ u shpreh Afrim Krasniqi, Dr. Instituti i Studimeve
Mjaft vende, kanë zgjedhur të ngrenë një sistem miks sa i takon peshës së votës mes rezidentit në atdhe dhe qytetarit të diasporës. Kjo, për shkak të krijimit të një farë shkëpuetje nga realiteti i atdheut për qytetarin e diasporës, për shkak të subjektivizmit apo ndikimeve familjare por edhe për kontributet në shoqëri nga taksat te format e tjera.
Në Shqipëri, votës së diasporës i është dhënë e njëjta peshë me votën e rezidentëve. Ajo ndahet sipas vendregjistrimeve të gjithsecilit në atdhe, nuk llogaritet si një njësi e vetme zgjedhore.
‘Në kodin e praktikave të mira në komisionin e Venecias thotë se nuk është shkelje nëse vendi përkatës merr vendime që ngushtojnë fuqinë dhe të drejtën e votës pa dhënë receta se si për ato vende që kanë një numër të konsiderueshëm të zgjedhësve që jetojnë jashtë’ u shpreh Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ.
Top Channel