
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu është arrestuar këtë të mërkurën si pjesë e një hetimi për korrupsion.
Ai gjithashtu akuzohet se ishte në krye të një organizate kriminale, manipulim tenderash dhe ndihmë për organizatë terroriste.
Mediat lokale të lajmeve raportuan se një grup i madh i personelit të sigurisë rrethoi shtëpinë e Imamoglu përpara se ta merrte në paraburgim.
Imamoglu tha në X se qindra policë ishin para shtëpisë së tij, duke shtuar se ai nuk do të dorëzohej dhe do të vazhdonte t’i rezistonte presionit.
“Më vjen keq ta them, por një grusht njerëzish kërkojnë të uzurpojnë vullnetin e kombit tonë. I ka vërsulur policët poshtë derës time dhe po sillet si tiran, sepse ka frikë nga e vërteta dhe nga liria. Unë nuk do të dorëzohem përballë kësaj egërsie dhe përballë kësaj shtypjeje të madhe.
Unë e kam lënë fatin tim në duart e kombit tim. Kanë sjellë qindra policë për të më arrestuar dhe duan të më ndalojnë të jem i lirë, por duhet ta dini që kurrë nuk do të përkulem. Ju dua shumë dhe iu them njerëzve të mi, ata që më besojnë dhe familjes time se unë kurrë nuk do të dorëzohem. Do të jem gjithmonë në këmbë si burrë”, shprehet ai në videon e publikuar në momentin kur policia kishte rrethuar banesën e tij.
Top Channel