Tensionet gjeopolitike dhe frika se SHBA mund të bjerë në recesion, ari arrin çmimin rekord mbi 3,000 dollarë për onzë

18/03/2025 13:18

Ky ka qenë një vit rekord për arin, pasi investitorët e shqetësuar kanë kërkuar asete të sigurta.

Dhe këtë mëngjes, metali i çmuar ka arritur një rekord të ri të lartë, duke kaluar mbi 3,000 dollarë për onzë, i nxitur nga tensionet gjeopolitike në rritje në Lindjen e Mesme, frikërat për një luftë tregtare dhe dobësimi i dollarit amerikan.

Ari ka arritur 3,017.64 dollarë për onzë, pas lajmeve se forcat ushtarake izraelite kanë nisur sulme të gjera ndaj objektivave në Gaza, duke shkaktuar frikë se armëpushimi i brishtë në rajon ka mbaruar.

Kjo do të thotë se ari është rritur me 15% që nga fillimi i këtij viti, pasi mbylli dhjetorin në 2,623 dollarë për onzë, duke shtuar kështu rritjen prej 27% gjatë vitit 2024.

Dobësimi i fundit i dollarit amerikan ka shtuar gjithashtu çmimin e arit. Dollari është duke u tregtuar afër niveleve më të ulëta të pesë muajve ndaj një grupi monedhash të tjera, pasi tregtarët shqetësohen se entuziazmi i Donald Trump për tarifat mund të çojë në një luftë të plotë tregtare, që mund ta shtyjë SHBA-në në recesion.

Siç e shprehin analistët e Deutshe Bank: “Investitorët vazhdojnë të largohen nga dollari amerikan dhe të kërkojnë strehim të sigurt përmes pasigurisë në rritje të politikave”.

Linh Tran, analist i tregut në XS.com, raporton se tensionet në rritje në Lindjen e Mesme dhe konflikti tregtar në rritje mes SHBA-ve dhe Kinës i kanë shtyrë investitorët të drejtohen drejt arit si një kanal të sigurtë investimi, duke shtuar: “Këto pasiguri kanë rritur jo vetëm kërkesën për ar, por gjithashtu kanë shtyrë hyrjen e kapitalit të rëndësishëm në tregun e metaleve të çmuar, duke kontribuar në arritjen e çmimeve rekord të arit”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta