
Djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Endrit Thaçi mbajti një fjalim emocionues në homazhet për gjyshin e tij, Haxhi Thaçin.
Ai përmendi mungesën e Thaçit pasi Gjykata e Hagës nuk i dha leje të merrte pjesë në varrim.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë.
Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin. Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pashë në fytyrën e babait kur doli nga spitali. Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë.
Me vdekë pa u koritë, siç thoshte ai. Gjysh, as sot nuk jemi korit. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’ia gjuajë një gusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, tha ai.
Top Channel