
“Mbyllja e TikTok është vendimi i duhur për sigurinë e fëmijëve, prandaj prindërit nuk iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike për protestë kundër këtij vendimi”, u shpreh kryeministri Edi Rama, teksa komentoi tubimin e së shtunës nga e djathta.
“Thirrjes së palës tjetër për të bërë protesta, nuk iu përgjigjën. Sepse kur vjen puna te interesi i drejtpërdrejtë i shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve, aty nuk ka të majtë dhe të djathtë, nuk ka më pëlqen apo s’më pëlqen kush e ka këtë mendim, por thotë se ky është vendimi i duhur. E njëjta gjë duhet parasysh në 11 maj”, tha kryesocialisti.
Duke folur për rrugëtimin e vendit tonë drejt unionit, Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa më të shpejtë se çdo vend i rajonit.
“Ne nuk mund ta humbasim trenin. Çdo minutë është e rëndësishme. Kini parasysh që Serbia negocion prej vitit 2014, Mali i Zi negocion prej shumë vitesh, Maqedonia e Veriut ka qenë para nesh kandidate, ne negociojmë prej vitit të shkuar. Dhe bashkë me Malin e Zi, jemi në një kontratë me BE, për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Është koha më e shkurtër dhe këtë e ka sjellë përputhja gjeopolitike e rrethanave tona me rrethanat e tyre. Ata dua që ne të bëhemi anëtarë të BE dhe të bëhemi tani. Në këtë ngut të tyre, është dhe ky sensi i urgjencës i krijuar nga situata gjeopolitike. Për të bërë këtë ama, duhet të bëjmë negocioatat, që janë detyra shumë të ngatërruara dhe shumë voluminoze“.
Top Channel