
Kryeministri Edi Rama në takimin me kandidatët për deputetë tha se Partia Socialiste ka skuadrën që u jep të gjithëve mundësinë që të zgjedhin më 11 maj.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal dhe te kundërshtarët politikë, ku tha se “është e kotë të besosh se mund të vijë diçka e mirë për vendin duke dalë e kërkuar vota për ata që janë përballë nesh”.
“Unë e vura re se cilët mbetën pa u përmendur në ato prezantimet e mëparshme megjithatë nuk po hyj në këtë korrigjim. Besoj që ajo që është më e rëndësishmja, është skuadra.
Ne kemi, sipas meje, një skuadër që sot u jep të gjithëve mundësinë që të zgjedhin, kemi një skuadër ku të gjitha moshat, të dyja gjinitë patjetër po në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat, kanë mundësi të gjejnë veten dhe të votojnë për veten. Ashtu sikundër si asnjëherë më parë PS ka një skuadër ku edhe më të rinjtë janë të mirë përfaqësuar, por ndryshe nga herët e tjera unë besoj që ka edhe një karakteristikë të re, të shumëpritur për mua personalisht, që në skuadrën e 11 majit ne kemi në të gjithë ekipin tonë edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra dhe janë me ne pasi në një proces të gjatë ose më të shkurtër, kanë parë sesa pa lidhje dhe sesa e kotë është që të besosh se mund të vijë diçka e mirë ose mund të bëhet diçka e mirë për vendin e për njerëzit duke dalë për të kërkuar vota për ata që sot janë përballë nesh dhe është e mirëpritur për mua sepse unë besoj se PS është shumë më e gjerë sesa vetvetja.
Është shumë më e gjerë sesa perimetri i anëtarësisë së vet dhe është shumë më e gjerë sesa shumëkush brenda nesh e percepton, duke harruar që në fund të ditës ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve dhe shqiptareve që me votën e diasporës mund të shkojnë afër 1 milionëshit dhe është e pamundur të mos mendojmë edhe të mos përpiqemi që këtë forcë tua vëmë në dispozicion të gjithëve pavarësisht dallimeve që mund të kemi në tryezë kur flasim për pikëpamjet tona lidhur me një çështje apo me një çështje tjetër, në fund ne duhet të jemi të gatshëm që Partinë Socialiste tua vëmë në dispozicion të gjithë atyre që duan të realizojnë dhe që ndajnë me ne qëllime të mëdha“, tha ai.
Top Channel